Analisti Fatos Lubonja, në një lidhje skype në rubrikën “Opinion” në News24, ka komentuar situatën politike në vend dhe ngjarjet e fundit.

Në lidhje me përjashtimin e katër deputetëve nga grupi Parlamentar, lajm i cili u bë publik vetëm pak më parë, Lubonja u shpreh se vijon puna e Alibeajt për sabotimin e punës së opozitës, me regji ose jo.

A ka shtuar se në këto kushte duhen lënë mënjanë egoja dhe interesat personale dhe duhet menduar se ku ky regjim po e çon Shqipërinë.

Pjesë nga biseda në studio:

Ina Qirjo: Përjashtimi nga grupi i Alibeaj të katër deputetëve. Është thelluar kriza mes dy grupimeve brenda PD pas këtij vendimi?

Fatos Lubonja: Më tingëllon e çuditshme që Këlliçi ka qenë pjesë e grupit të Alibeaj. Me sa i mbaj mend unë janë deputetë afër Berishës. Këta mund të kenë mbetur aty për të bërë një lloj ure lidhëse, është në vazhdën e ndarjes që deri në zgjedhje do vijojë ehe me skenarë të tjerë. Puna e sabotimit të Alibeaj për opozitën Berisha është në udhë e sipër, me regji apo pa regji. Punë shqiptarësh dhe kjo nuk është gjë e mirë.
Alibeaj thotë jam unë PD dhe përjashtoj ato që nuk dua. Kjo lidhet me faktin se jemi ende për shkaqe që dihen, në mëdyshjen si do zgjidhet çështja e vulës së PD, që ka mbetur në gjykatë.

Njerëz që nuk kanë mësuar asgjë nga politika por ndjekin interesat e ngushta, pa pasur shqetësim se ku po na çon ky regjim. Bëhen shërbëtorë të një regjimi. Kanë disa arsye, sepse gjuha e përdorur nga Berisha e nga të tjerë, ka qenë e papranueshme për tu afruar më, por përtej egove personale duhet të ketë një lloj racionaliseti të shikimit të një interesi përtej vetes. Janë në linjën për ti prishur punën PD dhe opozitarizmit.

PD në gjumë pas sëmundjes me grip të Berishës?

Kjo është e rëndë. Shoh sa rëndësi ka vullneti i një njeriu. Ajo parti ka shumë probleme. U sëmur Berisha e s’ka më PD mund të thuhet. Dje ndodhi një vjedhje skandaloze, historia e tenderit që do bëhej për të vjedhur gjatë fushatës elektorale, këta nuk flasin fare, sikur nuk ekzistojnë këto gjëra. nuk kanë as nervin minimal. Të presësh të jetë në rregull Berisha me shëndet që të ngrihen këto e të dalin në media është skandal.

SPAK i ka komunikuar akuzat Fatmir Mediut. Komenti juaj?

Është histori e gjatë. Ajo që dua të them është që është thjeshtë instrumentalizim, ngjarje tragjike e asaj që ka ndodhur. Edhe kur ndodhi u instrumentalizua nga opozita pa bërë një analizë çfarë tregonte ajo ngjarje. Për mua ishte zhvillimi i një sistemi, shqiptarët e kanë harruar sot Delijorgjin, nëse nuk do kishte shpërthyer do e kishim jetuar si ngjarje normale. Delijorgji bashkëpunoi me socialistet madje disa thonë nisi me Pandeli Majkon dhe e mori trashëgim Mediu. Kjo shoqëri nuk analizon vetëm instrumentalizon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: