Nga: VJOLLCA KONGJONI*
TIRANË- 72 media audiovizive në të gjithë vendin do të përfshihen në procesin e dixhitalizimit. Me këtë strategji të re rregulluese Autoriteti i Mediave Audiovizive synon mbylljen e transmetimeve analoge ekzistuese. Por për mbështjetjen në rrjetin dixhital, Radio Televizioni Shqiptar ka propozuar një pagesë mujore nga operatorët, prej rreth 2900 euro. Kjo tarifë është konsideruar si mjaft e lartë nga subjektet rajnalë dhe lokalë ndaj edhe në takimin e parë konsultativ me AMA-n kanë kërkuar negocim të kësaj shume.

Sipas drejtorit të kabinetit të AMA-s, Dritan Xhelili përcaktimi i tarifës është edhe parimi kryesor i procesit të dixhitalizimit.

“Angazhimi paraprak i AMA-s është që së pari kjo tarifë të jetë e mjaftueshme për mbarëvajtjen e rtsh-së dhe së dyti të sigurohet që kjo tarifë të jetë e përballueshme nga operatorët privatë lokalë. Ky është edhe një nga parimet kryesore të procesit të dixhitalizimit. Qëllimi i kësaj strategjie është mbyllja e transmetimeve analoge ekzistuese”-tha ai.

Pikërisht tarifat e sugjeruara dhe procedurat e zbatimit të këtij procesi kanë hasur në debate të forta nga ana e operatorëve privatë që operojnë prej vitesh në nivel kombëtar.

Disa prej kanaleve mediatike informative kanë një shtrirje në të gjithë Shqipërinë dhe shqetësimi i tyre është mënyra se si do të trajtohen me strategjinë e re të dixhitalizimit si historikë informativ apo rajonal.
Ndërsa drejtori i RTSH, Martin Leka u përgjigj se vlera e propozuar mund të negociohet mes palëve.

Sipas ligjit ato media lokale që nuk do të jenë në gjendje të paguajnë tarifat e përcaktuara për dixhitalizim të tyre do të dalin nga tregu. Ndërtimi i dy rrjeteve dixhitale të RTSH do të kryhet nga firma fituese e tenderit dhe sipas përfaqësuesve të ministrisë së Inovacionit brenda gjashtë muajve nga zbatimi i projektit rrjetet dixhitale të RTSH do të mbulojnë 85% të popullsisë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: