Amal Clooney luajti një rol të rëndësishëm në ngritjen e çështjes për Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN) për të ndjekur penalisht kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe udhëheqësit e Hamasit për krime të dyshuara lufte në Izrael dhe Gazë, sipas “New York Post”.

Clooney njoftoi dje në faqen e internetit “Clooney Foundation for Justice” se i ishte kërkuar nga GJPN-ja të bashkohej me një panel ekspertësh ligjorë ndërkombëtarë për të vlerësuar provat e krimeve të dyshuara të luftës.

Pas një shqyrtimi të gjerë ligjor, paneli vendosi unanimisht se GJNP ka juridiksion mbi krimet e kryera gjatë luftës së Izraelit kundër Hamasit, duke rekomanduar që si Hamasi ashtu edhe udhëheqësit izraelitë të shpallen përgjegjës.

“Njëzëri, konkludojmë se ka arsye të arsyeshme për të besuar se liderët e Hamasit, Yahya Sinwar, Mohammed Deif dhe Ismail Haniyeh kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke përfshirë pengmarrjen, vrasjen dhe krimet e dhunës seksuale”, shkroi Clooney për vendimin e panelit.

Clooney, 46 vjeçe, një avokate e suksesshme libaneze-britanike për të drejtat e njeriut, bashkëthemeloi “Fondacionin Clooney për Drejtësi” (“Clooney Foundation for Justice”) me bashkëshortin e saj, fituesin e çmimit “Oscar” George Clooney.

Bashkë me Clooney në panel ishin një sërë ekspertësh juridikë dhe këshilltarë akademikë ndërkombëtarë. Dy anëtarë ishin ish-gjyqtarë në gjykatat penale në Hagë.

Clooney ishte një përkrahëse e zëshme e ndjekjes penale të krimeve të luftës të kryera në Ukrainë, madje duke iu drejtuar një paneli të OKB-së në prill 2022, kur ajo e quajti vendin e shkatërruar nga lufta “një thertore”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb