TIRANE – Ambasadori francez në vendin tonë, Bernard Fitoussi theksoi se atentati terrorist ndaj gazetës “Charlie Hebdo”, që tronditi një ditë më parë të gjithë botën, nuk ka lidhje me fenë.
“Kundërshtoj fort të bëjmë ndonjë lidhje fetare me këtë krim. Ata janë vrasës, nuk janë as hebrenj, as katolikë, as myslimanë. Ata janë vrasës, janë kriminelë pa ligj dhe pa nder. ”- theksoi ambasadori në një konferencë për shtyp.

Duke falenderuar Shqipërinë dhe shqiptarët për solidaritetin e madh që treguan ndaj popullit francez, Fitoussi u bëri thirrje shteteve europiane që të mësojnë nga shembulli i harmonisë fetare që ekziston në Shqipëri.

“Reagimi në Shqipëria ka qenë jashtëzakonisht i fortë. Kam marrë mesazhe të shumta solidariteti nga autoritetet e shtetit, nga trupi diplomatik. Dje në darkë kemi pasur një ceremoni përkujtimi të organizuar nga gazetarët shqiptarë”, – u shpreh ambasadori francez.

Ndër të tjera, Ambasadori Fitoussi bëri të ditur se presidenti francez ka shpallur ditë zie kombëtare dhe flamuri në ambasadën franceze në Tiranës është ulur në gjysmështizë. Gjithashtu në ambientet e Ambasadës do të vendoset edhe një libër ngushëllimesh, që do të jetë i hapur në Ambasadë ditën e premte, 9 janar, dhe ditën e hënë, 12 janar, nga ora 10:00 deri në orën 12:00 dhe prej orës 14:00 deri në orën 16:00.
ATENTATI TERRORIST
Gazeta satirike “Charlie Hebdo” u sulmua mesditën e djeshme nga persona të armatosur. Dhjetë gazetarë dhe dy punonjës policie u ekzekutuan me armë në ambientet e redaksisë së gazetës franceze satirike, në Paris. Duke thirrur: “Allahu – Ekber” (Allahu është më i madhi), dy agresorë hynë në ambientet e revistës satirike dhe hapën zjarr duke vrarë 12 vetë. Dëshmitarë dhe pamjet që qarkulluan fillimisht nëpër rrjete sociale tregojnë agresorët, të veshur me të zeza, të maskuar e me kallashnikovë në duar, të cilët marrin në shënjestër zyrat e medias së njohur për nota të larta ironie e sarkazmë në trajtimin e çështjeve të aktualitetit, por edhe për prirjet anti-islamike. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, atentatorët flisnin shumë mirë frëngjisht dhe kanë hapur zjarr duke thirrur: “Do t’ia marrim hakun Profetit”. Policia shkoi menjëherë në vendngjarje, por agresorët u arratisën me një automjet, i cili u gjet i braktisur pak orë pas masakrës.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb