Ish-deputeti Ervin Salianji ka ndarë momente nga pritja e organizuar një ditë më parë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara, me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA.

“Sot, partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të sigurisë, demokracisë dhe zhvillimit të vendit tone”, shprehet Ervin Salianji.

Salianji e vlerëson si një përvjetor historik, ndërsa falënderon SHBA për mbështetjen ndaj Shqipërisë, duke shtuar se Amerika ka qenë për shqiptarët më shumë se sa një aleat.

Reagimi i Ervin Salianjit në Facebook;

Ishte një nder të isha i pranishëm në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së.

Ky përvjetor historik është një moment falenderimi për miqtë e kohërave të vështira të shqiptarëve. Amerika për ne ka qenë shumë më tepër se një aleat, ajo ka qenë një shpëtimtare.

Nga mbështetja vendimtare e Woodrow Wilson për mbrojtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë pas Luftës së Parë Botërore, deri te roli vendimtar i Shteteve të Bashkuara në çlirimin e Kosovës dhe garantimin e paqes e stabilitetit në Ballkan, mbështetja amerikane ka qenë gjithmonë aty në momentet kur ne kemi qenë të dobët, të varfër dhe të pafuqishëm për t’ja dalë.

Sot, partneriteti strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të sigurisë, demokracisë dhe zhvillimit të vendit tonë. Mbështetja amerikane për forcimin e institucioneve, luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit të organizuar, integrimin euro-atlantik dhe zhvillimin ekonomik të Shqipërisë është gjithashtu themelore në këtë moment historik, ndërsa një brez i tërë në Shqipëri pret të lërë pas tranzicionin.

Urime popullit amerikan për këtë jubile të jashtëzakonshëm.

Miqësia shqiptaro-amerikane ka qenë, është dhe do të jetë një thesar i çmuar dhe strategjik për kombin tonë.

Gëzuar 250 vjetorin Shtetet e Bashkuara të Amerikës

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: