Krijohet një produkt i ri sigurimi për ato që konsiderohen si profesione me rrezik të shtuar. Tashmë, sigurimin e jetës, ose pagesën e dëmshpërblimit në raste aksidentesh në punë, do ta përfitojnë edhe zjarrfikësit. Për sigurimin e tyre do të paguajnë Bashkitë. Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare miratoi në mbledhjen e datës 31.08.2020 kushtet standarde të kontratës së sigurimit të punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.

Kontrata e sigurimit mbulon ngjarjet aksidentale gjatë kryerjes së shërbimit operacional, ku përfshihet vdekja si rezultat i aksidentit, paaftësi e përhershme ose e përkohshme si rezultat i një aksidenti ose sëmundjeje gjatë shërbimit, si edhe shërbimet spitalore dhe mjekësore në spitalet publike në vend, ose jashtë vendit në rastet kur ato nuk ofrohen.

Kontrata e sigurimit realizohet nga njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe tarifa e primit të sigurimit nuk mund të jetë më e vogël se 0.5% e shumës së siguruar. Dëmshpërblimi për personat e siguruar është në varësi të shkallës së dëmtimit apo sëmundjes dhe mund të arrijë deri në 5 milionë lekë.

Në kushtet e miratuara përfshihet edhe tabela e koeficientëve të përfitimit ndaj dëmtimeve trupore, ku përcaktohen rastet për përfitimin e pagueshëm në përqindje ndaj shumës së sigurimit. Gjithashtu, në kushtet e kontratës është specifikuar procedura e dëmshpërblimit, që nga njoftimi i ngjarjes së sigurimit, trajtimi dhe pagesa e përfitimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: