“Po mbush 67 vjeç, nuk do të ndryshoj tani. Por nuk jam as ekstrem ist që nuk di të falë. E kam fjalën për foton me Kridens Metën që juve gazetarëve ju pëlqen të merreni pak gjatë…” Kështu nis intervista me Sulejman Starovën, sot Drejtori i Shkollës së Trajnerëve në FSHF. “Bobi” flet edhe këtë herë pa doreza, duke filluar nga raporti me Armand Dukën, të cilin e sfidoi në zgjedhjet e fundit dhe deri te diplomimi i Alban Rexhës, ish-nxënësi që dikur i shkoi me kalë në katin e pestë të pallatit vetëm që ta fuste në formacion. Natyrisht, ai skanon me detaje edhe ecurinë e klubeve shqiptare në Europë.

Profesor, do të donim fillimisht një mendim nga ju për ekipet shqiptare që luajtën në Europë, sepse sot nuk kemi asnjë pjesëmarrëse aty…
Analiza e përgjithshme është e gabuar. Ose më saktë është relative. Kështu si e trajtoni ju duket sikur ka ndodhur ndonjë katastrofë, por nëse i analizojmë skuadrat me radhë, mendoj se nuk ka vend për drama…

Po mirë, a mund t’i analizoni me radhë skuadrat?
Po. Flasim fillimisht për Tiranën. Tirana doli kampione dhe iu largua Toli me Hoxhallarin. Nuk ishin pak. I ra në short ajo që ata donin: Dudelanzhi. Ekipet e tjera ishin më të forta në letër. Kur të bie në short ajo që do, çdo njeri gëzohet… Por të mos ngatërrojmë gëzimin me skuadrën më të lehtë të mundshme në atë vazo dhe shanset reale që ke për kualifikim. Tirana vërtetë “peshkoi” Dudelanzhin dhe ishte në letër më e dobëta, por Tirana nuk ishte favorite as ndaj luksemburgasve. Ata janë një skuadër e investuar fuqishëm dekadën e fundit dhe kanë qenë dy herë në grupe. Mirëpo, këtu te ne, për t’i dhënë ndihmë trajnerit ose lojtarëve, nisën të flasin për kualifikim, por kështu rritën artificialisht pritshmëritë te publiku. Kjo nuk ishte e mirë.

Profesor, ka më shumë histori Tirana në Europë apo Dudelanzhi?
Oh, po ç’lidhje ka kjo. Nuk ka të bëjë emri i Tiranës me skuadrën që kanë ata, sepse ata (Dudelanzhi) e kanë miliona euro buxhetin dhe janë prezentë në Europë pesë-gjashtë vitet e fundit. Konkluzioni im se ku gaboi Tirana është ky…

Na e thoni, ju lutem!
Kur kërkon të ruash lekët sepse ke fond të vogël, por edhe të marrësh lojtarë të mirë në një kohë të shkurtër, atëherë kjo është e pamundur. Thjesht nuk ke kohë. E kam provuar vetë. Tirana kërkoi lojtarë për të zëvendësuar dy titullarë, kërkoi edhe lojtarë për stol, por nuk i gjeti. Dhe shkoi në Champions e cunguar. Ky është problemi i parë.

Si zgjidhej ky problem?
Duhej të merrte lojtarë borxh nga ekipet e tjera, nga Kukësi ndoshta. Ata kanë kapitenin (Taipin) shumë të mirë. Por edhe lojtarë nga ekipet e tjera. Pra, duhej të kishte një kontigjent më të gjerë dhe kështu do të kishte edhe më shumë konkurrencë. Mirëpo këtu mentaliteti është që nuk impenjohet lojtari kur është huazim. Unë nuk e mendoj kështu. Përfundimi: Tirana u fut në këtë aventurë jo me stol të plotë. Plus pastaj episode gjatë ndeshjes që humbet lojtarë për kartonë të kuq dhe ja ku del diferenca me një klub që investon 5, 6 ose edhe 15 milionë euro me një klub si yni që investon 1 milion euro… Kështu u eliminua nga luksemburgasit, por nuk duhet konsideruar si dramë. Ta marrin vesh shqiptarët që nuk duhet të jetë dramë.

Pse nuk është dramë?
Sepse kur të eliminon një skuadër që harxhon më shumë se dyfishin tënd, nuk duhet të jetë dramë. Duhet ta dinë të gjithë që favorit ishte Dudelanzhi. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: