Superliga e këtij sezoni mbetet e “zjarrtë” dhe shumë konkurruese. Është e vështirë të flasësh për favoritë, por tre javë mjaftojnë për të krijuar një ide pak më të qartë. Shpëtim Duro, një nga trajnerët më të rëndësishëm të futbollit shqiptar, nga kjo e hënë është bashkuar me emisionin “Sport News” në News24 si i ftuar special për të analizuar Superligën dhe jo vetëm, gjithçka lidhet me futbollin në vend dhe botë.

Duro foli për herë të parë për largimin e tij nga Laçi pasi një viti ku luftojë deri në fund për titullin kampion dhe pasi bëri historinë me klubin kurbinas duke u kualifikuar për në raundin e tretë të Conference League. Në analizën e tij me Enxhi Bibën, Shpëtim Duro preku të gjithë ekipet e Superligës, si kanë ndryshuar në raport me një vit më parë, ku çalojnë dhe çfarë pret në vijim. Gjithashtu, Duro foli dhe për ekipin Kombëtares dhe për dy sfidat e tetorit, kundër Hungarisë dhe Polonisë:

Kukësi – “Sot kishte testin e vërtetë duke iu referuar skuadrave kryesore se ka pasur ndeshje me Egnatian e Kastriotin që do te jenë gjithmonë në pjesën e poshtme të klasifikimit. Ky test tregoi edhe oshilacionet që ka Kukësi pa eksperiencë e përvojë. Kjo tregoi që nuk është Kukësi pretendent, ka komplimente se është në vendin e parë por të shohim në vazhdim.

Ka momente që ka probleme financiare, që largohen shumë futbollistë, siç ishte Kukësi në sezonin e kaluar. Vjet kishte superskuadër, edhe kur isha unë parvjet. Por dështimi i Kukësit vjet me ato futbollistë kam mendimin që nuk pritej. Kishte shumë cilësi dhe nuk arriti objektivin minimal. Europën. Kjo solli që edhe futbollistët të largohen, ka raste edhe me mirëkuptim e bashkëpunim siç u largova unë nga Laçi”.

Risitë e Superiores – “Dy skuadrat që kanë ardhur në Superiore janë Dinamo me Egnatian, Dinamo dihet se ka stofin e saj, por ka bërë edhe investime të jashtëzakonshme si skuadër e infrastrukturë. E njëjta situatë është edhe te Egnatia. Ka bërë merkato shumë të mirë, në kohë rekord ndërtoi edhe një stadium mjaft komod. Dy skuadrat e ardhura nuk janë në të njëjtin nivel, pasi Dinamo do të tentojë pjesën e sipërme, kurse Egnatia duhet të luftojë për mbijetesë, se tradita e emri ka të bëjë shumë”.

Dueli Partizani-Vllaznia – “Unë pashë lojën, barazimi ishte rezultati më i drejtë, edhe pse Vllaznia ishte pranë fitores. Për atë që dhanë skuadrat në fushë, barazimi ishte rezultati më i drejtë.

Nga katër skuadrat që ishin për titull në sezonin e kaluar, Vllaznia me Teutën e kanë filluar kampionatin ku e kanë lënë, kurse Partizani dhe Laçi e tregon edhe kuota e pikëve që nuk e kanë filluar ku e kanë lënë, megjithëse them se është herët. Sipas mendimit tim personal, çdo gjë do të ndryshojë. Por Vllaznia ka pasur ndeshje me Partizanin, Teutën e Laçin.

Duke patur parasysh këto përballje, kam mendimin se është një hap para, më serioze si skuadër për titullin. Kanë ruajtur boshtin dhe kanë bërë përforcimet e duhura dhe them se kanë rritur jashtëzakonisht shumë fuqinë sulmuese të skuadrës. Ka një afrim si Latifi, nuk ka akoma nivelin e tij, por sigurisht që do të vijë gradualisht rritja e tij. Ka ardhur Aralica, një sulmues tipik, Gjurgjeviç.

Mos harrojmë që i mungon Hoxhaj i cili ka qenë vendimtar në sezonin e kaluar. Por ka keqmenaxhuar ndeshjet, në aspektin e mbrojtjes. Ishte 2-0 në avantazh në Laç, tregon dobësi menaxhimi të situatave, edhe me Teutën e Partizanin. Ka probleme Vllaznia nëse nuk menaxhon avantazhin, por e shoh një hap para të tjerëve.

E para është që edhe vjet ishte skuadër shumë solide. E dyta, ndryshimi i administrimit të klubit te një person i vetëm është shumë pozitiv për Vllazninë. Stadiumi patjetër, është impiant modern dhe tifozeria dihet që është përkrahje por edhe presion i madh ndaj kësaj skuadre. I ka elementët ndaj them është hap para, por është herët akoma.

Është fillimi por Partizani është një skuadër shumë e kompletuar. Them përsëri se ka afruar shumë futbollistë të spikatur në sezonin e kaluar, organikën e ka të mbipopulluar. Them që ka dy krahët, për mendimin tim Musta e Marku ndoshta ishin më të mirët në Superiore.

Ka marrë emra cilësorë si Markun e Vllaznisë, ka marrë Shehin, ka marrë në fund një superlojtar me investim serioz si Kaçe, apo Filipoviç. Ka organikën e duhur për titullin kampion, por nuk e ka filluar mirë se nuk mjafton vetëm dominimi i lojës, por janë rezultatet ato që vendosin”.

Pensioni i Demit me Dajën në stol – “Presidenti Demi është ndër më seriozët për plotësimet e kërkesave në çdo aspekt. Por për pensionin nuk mund ta them me garanci. Kështu isha unë te Partizani, kisha kontratë trevjeçare por qëndrova vetëm një vit. Ndaj të mos i referohemi shumë intervistave e deklaratave se asnjëherë nuk është 100% sa thonë këto deklarata”.

Ndeshja mes Teutës dhe Dinamos – “Dinamo ishte ndaj kampiones, ka ndikim psikologjik. Për mua doli e fituar Dinamo, se quhej transfertë përballë kampiones. Ndeshja në momentet më të mira të minutazhit e kishte Dinamo, por kishte edhe Teuta. Mund ta fitonin të dyja, kështu që barazimi ishte ai që i shkoi këtij takimi.

Kam dëgjuar që Teuta është më e fortë se sezonin e kaluar. Nuk e shoh më të fortë se ka qenë një element i rëndësishëm, protagonisti kryesor që fitoi titullin, Dejvi Bregu. Ndoshta në 4-5 ndeshje që i ka fituar me 1-0 me pikë të dhuruara nga Bregu, i mungon një lojtar i cili ka qenë vendimtar për titullin”.

Derbi Dinamo-Partizani – “Shumë bukur, i kam përjetuar vetë kur kam qenë futbollist. Sigurisht Partizani-Tirana është më i zjarrtë, por Partizani-Dinamo ka qenë kryesor prej 60-70 vitesh. Do ta ndjek me vëmendje. Do të jetë delikat për Partizanin sa i përket pikëve. Por të jep moral për vazhdimësinë e kampionatit”.

Forma e Tiranës – “Tirana zhgënjeu në sezonin e kaluar. Nuk arriti as objektivin minimal, Europën. Është një humbje e madhe, edhe nga aspekti financiar. Kur nuk arrijnë në Europë, kanë humbje të mëdha, edhe për emrin. Këtë vit ka bërë investime, ka skuadër shumë të mirë, lojtarë si Limaj e Totre që i kam drejtuar. Sinqerisht them që Tirana ka gabuar më shumë nga të tjerët, duke pasur kundërshtarë që luftojnë për pjesën e poshtme të tabelës, ka gabuar shumë dhe tani është futur në presion.

Ka ndeshje të rëndësishme që pret Laçin, janë dy skuadra në presion nga të dy krahët. Çdo gabim i tyre dhe nis shkëputja e grupit të sipërm të tabelës. Gjëja më e bukur është që është kthyer Seferi me gola. E njoh që 18 vjeç në Maqedoni, është cilësor. Nuk është lojtar tipik goli, por kur nis të shënojë është i rrezikshëm. Megjithatë, rezultatet lënë për të dëshiruar te Tirana”.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb