Raporti i qeverisë i ditës së enjte sipas së cilit ekonomia amerikane gjatë tremujorit të fundit u rrit me një ritëm vjetor prej 1,1 përqind, dha sinjalin se Shtetet e Bashkuara të paktën deri tani nuk kanë hyrë në recesion, por shumë ekonomistë parashikojnë se kjo do të ndodhë , kjo gjatë tremujorit prill-qershor ose menjëherë- pas tij.

Rritja e ekonomisë në tre muajt e pare të këtij viti erdhi kryesisht për shkak të shpenzimeve të konsumatorëve për shërbimet e përditshme bazike. Megjithatë blerësit u treguan më të kujdesshëm gjatë fundit të tre mujorit. Nga ana tjetër, bizneset shkurtuan shpenzimet për pajisje, një prirje që po ndiqet vazhdimisht.

Lista e pengesave për rritjen ekonomike sa vjen e shtohet.

Rezerva Federale e rriti normën bazë të interesit 9 herë gjatë vitit të shkuar, duke e ngritur në nivelin më të lartë në 17 vitet e fundit gjë që ka rritur koston e huamarrjes për konsumatorët dhe sipërmarrësit. Ështe shënuar rënie e ngadaltë, por e qëndrueshme e inflacionit. Megjithatë, çmimet vazhdojnë të mbeten të larta.

Falimentimi i dy bankave të mëdha gjatë muajit të kaluar nxiti një kërcënim të ri. Frenim të kredidhënies nga sistemi bankar, i cili mund të dobësojë edhe më tej rritjen ekonomike.
Sipas një raporti të muajit prill të Rezervës Federale mbi kushtet e biznesit, bankat po shtrëngojnë kredidhënien për të ruajtur kapitalin e tyre, çka do e bënte të vështirë që kompanitë të merrnin hua dhe të zgjeronin veprimtarinë e tyre. Ekonomistët e Bankës Qendrore parashikojnë një “rënie të lehtë ekonomike” përgjatë këtij viti.

Megjithatë, ka arsye për të menduar se edhe nëse ka recesion, ai do të jetë relativisht i butë. Shumë punëdhënës, të cilët janë përpjekur të punësojnë personel pas shkarkimit të punonjësve gjatë periudhës së pandemisë, mund të zgjedhin të ruajnë fuqinë e tyre punëtore pavarësisht tkurrjes së ekonomisë.

Recesioni përkufizohet në mënyrë joformale si 6 muaj rënie ekonomike . Megjithatë, asgjë nuk është e thjeshtë për një ekonomi post-pandemie në të cilën rritja ishte negative në gjysmën e parë të vitit të shkuar, por tregu i punës qëndroi i fortë, me një nivel papunësie jashtëzakonisht të ulët dhe me nivele të shëndetshme punësimi.

Drejtimi ekonomik ka shkaktuar konfuzion tek hartuesit e politikave të Rezervës Federale dhe ekonomistët privatë, që prej ndalimit të rritjes ekonomike në mars të 2020 për shkak të Covid 19, kur më shumë se 22 milionë amerikanë u larguan papritur nga puna.

Zyrtarët të Rezervës Federale e kanë bërë të qartë se janë të gatshëm ta lënë ekonominë të hyjë në recesion nëse do të ishte e nevojshme për të luftuar normën e lartë të inflacionit, dhe shumë ekonomistë i besojnë ata.

Pra, sa është mundësia për rënie ekonomike?

PSE SHUMË EKONOMISTË PARASHIKOJNË RECESION?

Ata parashikojnë që rritja agresive e normës së interesit nga Rezerva Federale dhe inflacioni i lartë të rëndojnë mbi konsumatorët dhe bizneset, duke i detyruar ata të ngadalësojnë ndjeshëm shpenzimet dhe investimet e tyre. Bizneset do të duhet të shkurtonin vendet e punës, duke çuar në uljen e mëtejshme të shpenzimeve.

Konsumatorët deri më tani kanë treguar qendrueshmëri përballë normave të larta të interesit dhe çmimeve në rritje. Megjithatë, ka shenja se aftësia e tyre për t’i përballuar ato ka filluar të dobësohet.

Për të dytin muaj me rradhë është shënuar rënie e shitjeve me pakicë. Borxhi i kartave të kreditit gjithashtu po rritet, dëshmi se amerikanëve u duhet të marrin më shumë hua për të ruajtur nivelin e tyre të shpenzimeve.
CILAT SHENJA DO TREGONIN SE RECESIONI KA FILLUAR?

Sinjali më i qartë do të ishte një rritje e vazhdueshme e shkurtimit të vendeve të punës dhe rritja e papunësisë. Claudia Sahm, një ekonomiste dhe ish-pjesëtare e personnelit të Rezervës Federale, vë në dukje se që prej Luftës së Dytë Botërore, rritja e shkallës së papunësisë prej gjysmë për qind për disa muaj me radhë ka sinjalizuar gjithmonë fillimin e rënies ekonomike.

Shumë ekonomistë monitorojnë numrin e njerëzve që kërkojnë ndihmë sociale, një matës që tregon nëse po shtohen pushimet nga puna. Aplikimet javore për ndihmë për shkak të papunësisë kanë ardhur duke u rritur pasi një sërë kompanish, nga kompania mëmë e Facebook-ut, Meta, tek tek kompania Lyft që mundëson ndarjen e udhëtimeve mes pasagjerëve të ndryshëm, kanë njoftuar pushime nga puna.

Megjithatë, punëdhënësit shtuan 236,000 vende pune në mars dhe shkalla e papunësisë ra në 3.5%.

A KA SHENJA TË TJERA QË DUHEN NDJEKUR?

Ekonomistët ndjekin ndryshimet në pagesën e interesit ose përqindjet e interesit për letra me vlerë, me qëllimin që të diktojnë sinjale për një rënie të ritmeve ekonomike, e cila njihet si “ kurba e përmbysur e përqindjes së interesit”. Kjo ndodh kur përqindja e interesit mbi një obligacion me afat maturimi 10 vjeçar zbret më poshtë se niveli i një obligacioni afat-shkurtër, si në rastin e një obligacioni me afat tre mujor. Kjo është diçka e pazakontë.
KUSH E PËRCAKTON NËSE KA RECESION?

Zyrtarisht hyrja në recesion përcaktohet nga Byroja Kombëtare për Kërkime Ekonomike e cila e përcakton recesionin si një “rënie domethënëse të aktivitetit ekonomik që shtrihet në të gjithë ekonominë dhe që zgjat më shumë se dy muaj”.

Kjo agjenci shqyrton prirjen e punësimit si edhe vlerëson të dhëna të tjera si matja e të ardhurave, punësimi, ndryshimi i shpenzimeve për shkak të inflacionit apo shitja me pakicë.

Megjithatë, Byroja zakonisht nuk e deklaron menjëherë hyrjen në recesion, ndonjëherë e bën këtë edhe pasi ka kaluar një vit nga rënia ekonomike.

A SHKAKTON RECESION INFLACIONI I LARTË?

Jo gjithmonë. Inflacioni arriti në 4.7% në 2006, niveli më i lartë në 15 vjet, pa shkaktuar rënie ekonomike.

Por kur inflacioni bëhet aq i lartë sa vitin e kaluar, në qershor arriti nivelin prej 9.1%, më i larti në 40 vjet, recesioni bëhet gjithnjë e më i mundshëm.

Kjo për dy arsye: Së pari, Rezerva Federale rrit ndjeshëm kostot e huamarrjes kur inflacioni të jetë aq i lartë. Normat më të larta ngadalësojnë ekonominë pasi konsumatorët bëhen më pak të aftë për të përballuar kreditë e shtëpive, makinat dhe blerjet e tjera të mëdha.

Së dyti, inflacioni i lartë deformon vetë ekonominë. Shpenzimet konsumatore dobësohen. Dhe bizneset bëhen të pasigurta për perspektivën ekonomike.

Shumë prej tyre tërhiqen nga planet për zgjerim të aktivitetit dhe ndalojnë punësimet. Kjo mund të çojë në papunësi më të madhe pasi disa njerëz zgjedhin të lënë punën dhe ata nuk zëvendësohen./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: