Rritja e çmimeve të energjisë pas pushtimit rus të Ukrainës do të jetë po aq brutale sa kriza e naftës e vitit 1973 që shkaktoi inflacion në të gjithë botën. Kështu deklaroi ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.

“Kërcimi i çmimeve të naftës dhe gazit si rezultat i ndërprerjes së furnizimit në Ukrainë “është i krahasueshëm në intensitet dhe brutalitet me goditjen e naftës të vitit 1973”, tha ai në një konferencë për mediat në Paris. “Në vitin 1973, kriza shkaktoi një goditje inflacioniste, duke i shtyrë bankat qendrore të rrisin masivisht normat e tyre, gjë që shkatërroi rritjen. Ky ka një emër: stagflacion, dhe është pikërisht ajo që duam të shmangim në vitin 2022. Nuk duhet të përsërisim gabimet e viteve 1970”.

Kriza e fillimit të viteve 1970 u shkaktua nga lufta e Yom Kipurit, kur forcat egjiptiane dhe siriane sulmuan Izraelin në tetor 1973. Çmimet me shumicë të gazit dhe naftës së papërpunuar janë rritur këtë javë, pas frikës nga pushtimi rus. Britania dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan dje ndalimin e importeve ruse të energjisë, ndërsa Bashkimi Evropian do të hartojë një plan për heqjen graduale të varësisë nga gazi dhe nafta ruse në një samit në Versajë që do të nisë nesër.

Në një letër drejtuar 27 liderëve të BE-së përpara nisjes së samitit, Charles Michel, president i Këshillit të BE-së, tha: “Është më urgjente se kurrë që ne të ndërmarrim hapa vendimtarë drejt ndërtimit të sovranitetit tonë, reduktimit të varësive dhe projektimit të një modeli të ri investimit. Pas “agresionit ushtarak të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës” dhe “vuajtjeve të papërshkrueshme”, Evropa duhet të bjerë dakord për “reduktimin e varësisë sonë energjetike, veçanërisht nga gazi, nafta dhe qymyri rus, dhe ndërtimin e një baze më të fuqishme ekonomike”. ai shtoi.

Élisabeth Borne, ministrja franceze e Punës, tha se sesioni i Versajës, i kryesuar nga Presidenti Macron, do të ishte thelbësor nëse Evropa do të vendoste apo jo një embargo ndaj gazit dhe naftës ruse. “Uniteti evropian është shumë i rëndësishëm për këtë çështje,” tha ajo për televizionin LCI. Le Maire tha se “përgjigja e duhur është pavarësia totale” sa i takon furnizimet evropiane me energji.

Dje, Komisioni Evropian hartoi një plan për të ulur importet e gazit rus me dy të tretat brenda një viti. Kjo do të kërkonte importimin e më shumë gazit natyror të lëngshëm, rritjen e prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe uljen e kërkesës nëpërmjet masave të efikasitetit. Samiti i Versajës, do të shqyrtojë gjithashtu përpjekjet për të krijuar një sistem autonom evropian të mbrojtjes, një projekt i promovuar prej kohësh nga Presidenti Macron. BE-ja në fund të muajit të kaluar ra dakord të financojë 450 milionë euro për të pajisur me armë Ukrainën.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb