Ministri i Financave në Francë, Bruno Le Maire, ka thënë gjatë një vizite të dielën në Pekin se shkëputja e të gjitha lidhjeve ekonomike me Kinën, është një “iluzion”.

Ai i ka bërë këto deklarata teksa shumë shtete të Perëndimit tentojnë ta ulin varësinë ndaj gjigantit aziatik.

“Ne e kundërshtojmë plotësisht idenë e shkëputjes. Shkëputja është iluzion”, u ka thënë Le Maire gazetarëve në Ambasadën e Francës.

“Nuk ka mundësi që të ketë ndonjë shkëputje në mes të ekonomive amerikane, evropiane dhe kineze”.

Megjithatë, ai e ka mbrojtur ambicien e Francës për t’u bërë më e pavarur në disa sektorë, por ka shtuar se koncepti i uljes së rrezikut – që është bërë fjalë kyçe muajve të fundit në Perëndim – “nuk nënkupton se Kina përbën rrezik”.

“Ulja e rrezikut nënkupton se ne duam të jemi më të pavarur… ne nuk duam të jemi në pikën që kemi qenë gjatë pandemisë së koronavirusit, ta kuptojmë se jemi tejet të varur nga disa komponentë”, ka shtuar ai, duke i përmendur mikroçipat si një prej shembujve.

Deklaratat e Le Maires vijnë teksa disa shtete perëndimore tentojnë ta ulin varësinë ndaj Kinës, sidomos Gjermania, e cila e konsideron shtetin aziatik si partnerin kyç tregtar dhe treg të rëndësishëm për industrinë e saj të automobilave.

Shtetet e Bashkuara kanë bërë, po ashtu, thirrje për ulje të varësisë nga Kina, ndonëse Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yelln, ka thënë gjatë një vizite në Kinë, më herët gjatë këtij muaji se, shkëputja e ekonomisë së SHBA-së me atë të Kinës, është “virtualisht e pamundshme”.

Kina, në anën tjetër, e ka kritikuar Perëndimin për tentimet për ulje të varësisë, pasi kryeministri Li Qiang e ka quajtur këtë koncept si “teori të rreme”.

Le Maire është në Kinë për negociata ekonomike të nivelit të lartë dhe do të udhëtojë të hënën në zonën ekonomike të Kinës, Shenzhen, për t’u takuar me liderë biznesorë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb