NGA: Agron Gjekmarkaj
Kronika e dëshpërimit të Nallbatit dhe të tjera gajle.

Deputetët hynin kokulur e gati si tinëz në sallën e Kuvendit dje. Një si padeshirë e përzier me ankth i karakterizonte. Nallbatit një brengë i rrinte mbi kokë si reja që nuk dihet në lëshon shi apo breshër. Të hepuar e kishte shikimin, të dukshëm zemërimin, të zëshme psherëtimën.

Kosta i Gramozit dhe Linditës parandiente stuhi dhe ikte ujdhesave duke thërritur ‘të shpëtoje kush të mundet se kiameti po troket’. Dëgjohej vetëm një hungërime e murrëtyer ‘cjeper, mzeter ti gjuaj me këpucë delenxhinjtë’ dhe Lideri në perspektivë Gazi zemër e të cilit është turbinë pozitiviteti, mundohej të kuptonte dhe ta qetësonte, ‘ç’ke more i uruar’-i thoshte, ‘kush të ka merituar, ç’gjëmë a vaki të ka goditur, pse gjithë ky tërbim, mo hatri i Zotit mos na bëj të pabërën boll kemi Muçon’.

Dikur djali pas shumë lutjesh u shkreh ‘ne jemi mësuar të shohim Mamicen vetë zonjën Elisë atje në ballë të qeverisë, me nure e fjalime të na qerasë, çoku syri na ëmbëlsohej, tani nuk ngre dot kokën të shoh mjekrën e Ulsiut, që t’ja shkul firaunit, pakuptimësinë e Gonxhes, heshtjen prej zorzopi të Nikos dhe vetëkënaqësinë e Taos apo përhumbjen bukolike të Metes ! Mu këput qafa duke mbajtur kokën ulur vikati i dalldisur”.

Dash Sula e miratonte me tundje të lehta koke dhe herë pas here lëshonte një ehhh të zgjatur si dhimbje e përbashkët dalë nga zgafella e shpirtit apo solidaritert zor ta ndaje. Gazi si posedues informacionesh si për mirë dhe per keq e bindi të mos i dorëzohej dëshpërimit. Ai i rrefeu se Mamica po shoqëron Babon neper Alemanjë për të nxjerrë në selamet vatanë dhe pasdite bëj gajret se do të kthehet e bashkë me të xhani do të gjejë prehje e paqëtim. Ashtu ndodhi dhe evlati ndihej më i motivuar. Dilo Nasufi kishte zbritur me një të madhe dileme në Tiranë, të jesh i pari në katund apo i fundit në qytet? Dikur atje në Berat për gjërat e zonës Babua e kishte në hesap tani këtu duhet të gëzohet kur takon Tonin dhe Çuçin apo kur i buzëqesh Etilda përtueshëm.

Bora me një çibuk elektronik tregonte e qeshur sesi e kishtë parë Babua në korridorin e Kryeministrisë dhe e kishte pyetur kush je ti? Jam Bora, Bora ajo që e para të thirri Babooo , ministrja jotë e dlirë dhe e mirë. Ai nuk qënkesh kujtuar veç kur kjo ka insistuar që jam edhe Bora e “Kronikes” atëherë ai e kishte përqafuar i gëzuar që personazhi i rezultonte anëtar kabineti.

Ismet Beqiri ja bëri fora dje me një fjalim që të kujtonte të tjera kohëra, vetë xha Selimin e Bratajve. Ai foli për realizimin e planeve pesëvjeçare, levdoi siç i ka hije komandantit vetë Babon dhe në fund në mungesë të një pisqolle për të shtirë në ajër nxori një faqore raki. E tërhoqi nja dy herë me sy të skuqur çakërr dhe plot krenari fshiu buzët. E mirë kjo viranë tha si fjalimet e Babos ta merr mendjen po ta kthen prapë.

Edhe Petrua partizani kishte një ligjërim tepkë, plumb për armikun dhe e mbylli plot sharm me një ‘vdekje fashizmit -liri popullit’.

Çyrbja më befasoi. Hyra në sallë !Qetësi nuk pipetinte as miza, ai fliste, ç’thua more qerrata ju drejtova po ai solemn, me kqyri vënger si njeri I zënë me temma të mëdha! Ajo që binte në sy ishte xhelozia e Xhemalit i cili ka lidhje organike me kulturën kur Jyrgysi kërcënimet per opozitën i mbështeste në një bazamet filozofik të dorës së parë.

Bela dhe Tao bisedonin gjithë kohes, ëmbël, pa hile dhe lëvdonin punët e lal Erit. Si dy pëllumba dukeshin , u duhej vetëm një hudhër për sy të keq. Kryezevendes Lideri Muli erdhi dhe drodhi dhënë. Si tribun u shfaq me mantelin e së vërtetës mbi supe la dëshminë e tij.

Një ditë e ka dhe gjarpëri thotë diku Martin Camaj ndaj fati më buzëqeshi dhe mua si një zëvendës lider i v ogelith, krejt si ushtari Nemeçek pas oficereve të ulem me shefe Albanen për një kafe dertesh e shpresash.

Ajo nuk erdhi vetëm për të me gëzuar deri në fund por me Oerdin i cili fije e për pe na vuri mbi tavolinë nene, ligje , data, të 20 viteve histori zgjedhjesh. Tani duhet të bëj një hap edhe me zonjën Garo dhe zonjën Kalaja që paqja e bashkimit të sanksionohet e plotë nën aromë kafeje zier me durimin e zemrës së mirë..

Salianji ja behu si gjithmonë në shërbim të të tjerëve duke harruar veten . Pyeti kush ka hall ja zgjidhi?! Kush është ne sherr e pajtoi?! Kush është pesimit e ngriti moralisht dhe u bë def si një misionar i perkorë i virtytit. E mira e Botës është kauza e tij.

Çdo gjë e ka një fund edhe dita e gjatë. Imazhi që mora me vete në mbyllje qe Ogi dhe Etilda tek dera e Kuvendit dialogu mes të cilave ndonëse hermetik mbetej njerëzor. Etilda po i tregonte përmbajtjen e fjalimit të fundit në mbrojtje të Lalit shoqëruar me rënkim dhe angeshti emocionale.

Ogit i hapej goja herë pas here nga një kalamendje gjumi por në fund i tha ‘lere mo e nga e paske qarë, duhet ta botosh që tu mbetet brezave për forcen e argumentit dhe guximit qytetar’. Aty kaloi Antoneta Dhima, timin dhe të Ermos patjetër tha që do e vëmë në kornizë dhe do ja shpiem Babos peshqesh për ditëlindje me 4 korrik se ai ka shije për të bukuren dhe të dobishmen. Vetë e fillova ditën si një i sëmurë imagjinar . Doktor Tritani më bëri derman. E ula siparin duke qeshur në studio televizive me atë telbisqar Ylli Manjan që e hedh llafin si benxinen në zjarr.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb