U desh një goditje e fortë, një traumë si qëndrimi jashtë Botërorit, për më tepër me statusin e kampionit të Europës, që Italia t’i hapte rrugën ndryshimit të gjeneratës. Kombëtarja e Mançinit duket se më në fund ka gjetur gurët mbi të cilët mund të hedhë themelet e rindërtimit.

Periudha pa fitore në një ndeshje zyrtare zgjaste që nga tetori kur fitonte 2-1 ndaj Belgjikës në ndeshjen e Ligës së Kombeve dhe ndaj Hungarisë “Axurrët” konkretizuan ngritjen që kishin nisur ndaj Gjermanisë. Jo vetëm tri pikë, por mbi të gjitha lojë e mirë, me teknikë dhe zemër, duke u argëtuar dhe duke argëtuar ishte ajo që treguan italianët falë kurajës së Mançinit për të lënë mënjanë disa prej senatorëve dhe për t’u besuar të rinjve.

SIGURITË – Italia e re nuk mund të niste nga një pozicion tjetër veç portës. “Kapiteni” Xhixho Donarumma, të paktën të ndeshjes së fundit, mund të kishte ngritur flamurin e bardhë pas dëmtimit të dorës, por zgjodhi të ishte prezent në fushë edhe pse sezoni i tij me PSGnë ishte negativ për të. I radhës ishte Leonardo Spinacola, simboli i Europianit të ndërprerë në mes, që e nisi aty ku e kishte lënë ndeshjen e parë të tij pas dëmtimit me fanellën e kaltër, në nivelet më të larta. Në mesfushë ndodhet një personazh tjetër, Nikolo Barela, që ka marrë në dorë çelësat e repartit edhe pse nuk ka eksperiencën e Verratit e Zhorzhinjos, por dëshmon gjithmonë rritjen që po përjeton tek Interi.
SULMI – I vetmi repart ku konturet duhen ende të përcaktohen, pika e dobët e Italisë. Këtu janë golat, ata që bëjnë diferencën dhe nuk është rastësi ecuria e “Axurrëve”, kur golashënuesit më të mirë të epokës së Mançinit janë Imobile dhe Beloti me nga 8 gola. Në formacionin italian mungon ende numri 9 tipik, ai që duhet të shkundë rrjetën e kundërshtarëve duke shfrytëzuar sa më mirë shërbimet e shokëve. E këto të fundit nuk mungojnë.

Nga Kieza te Zaniolo, nga Berardi tek Insinje, “furnizuesit” e zonës së rreptësisë janë jo vetëm të shumtë në numër, por edhe në cilësi. Mesfushorët ofensivë kanë kontribuuar deri më tani me lojë e gola, detyra e trajnerit është t’u vendosë një lojtar para që t’i shtojnë sa më shumë asiste repertorit të tyre.

E ARDHMJA – Italia mund të shikojë pa frikë edhe drejt së ardhmes. Bastoni, Pelegrini, Tonali dhe Raspadori po marrin kohën e tyre për t’u rritur në mënyrën më të mirë të mundshme dhe hapësirat që u krijohen sot, po u shërbejnë vetëm për të qenë gati kur të vijë momenti. Do të jenë ata që në të ardhmen do të kenë në këmbët e tyre fatin e “Axurrëve”, për t’i dhënë Italisë sigurinë e munguar në elitën e futbollit botëror./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb