Nga Preç Zogaj

Dje ishte një tjetër ditë nga ato që mund t’i quajnë “SPAK days” (ditët e Spak-ut). Jo nga ato të bujshmet me njoftime për arrestime ministrash e zyrtarësh të tjerë të lartë, apo banda vrasësish e trafikantësh të krimit të organizuar.

Një ditë e një natyre tjetër që ekspozoi për publikun e gjerë përmes kryetarit Altin Dumani panoramën dhe dinamikën e hetimeve në proces për dosje dhe padi penale shumë të ndjeshme, ku të dyshuarit, të hetuarit dhe të akuzuarit janë në shumicën dërmuese politikanë dhe ish politikanë, zyrtarë dhe ish zyrtarë të sferave të larta, familjarë të tyre.

Pa hyrë në detaje dhe pa u zhbalancuar në dhënie njoftimesh për të bërë efekt me lug bosh, si kemi dëgjuar më parë nga paraardhës të tij në majat e institucionit të akuzës, zoti Dumani përcolli qartë, me gjithë çfarë tha dje, një mesazh me vlerë shumë më të madhe se skupet: Nuk ka asnjë tabu në punën e SPAK.

Hetimet vazhdojnë të ketë në fokus aferat e krijuara përgjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Do të ketë zhvillime të reja, surprizuese në lidhje me akuzat në ngarkim të ish zëvendëskryeministrit, Ahmetaj. Hetimi për konçensionin e sterilizimit vazhdon dhe po thellohet. Dy ish ministra, Beqaj dhe Canaj mund të ndiqen penalisht. Hetimi për fondet e Bashkimit Europian për bujqësinë në Shqipëri gjatë periudhës 2014-2020, objekt hetimi më parë nga “Zyra Europiane Kundër Mashtrimit”, ka nisur edhe nga SPAK. Ish ministrat Gjiknuri dhe Xhaçka janë në proces verifikimi. Hetimet për korrupsion e shpërdorim detyre po shoqërohen automatikisht me hetim pasuror, që ka rezultuar të jetë thembra e Akilit për të zbuluar të vërtetën. Ky bigëzim hetimesh është një standard. Dumani njoftoi gjithashtu se SPAK ka në vëmendje padinë e opozitës kundër kryeministrit Edi Rama, sikurse çdo të dhënë të publikuar më media për atë pjesë të aferës “McGonigal” që ka lidhje me Shqipërinë. Panoramës së hetimeve nuk mund ti mungonte hetimi kompleks i dosjes “Metamorfoza” ku kanë dalë në pah lidhjet e shumëfishta të botës së krimit me politikën e kriminalizuar dhe anasjelltas. Hetimet dhe arrestimet e deritanishme ngjajnë të jenë maja e ajsbergut e një simbioze në përmasa të frikshme të njerëzve me pushtet dhe me uniformë me botën e krimit të organizuar.

Po dje, mesazhi “nuk ka tabu” gjeti shtrirje si asnjëherë tjetër më parë te hetimet në proces për afera  të periudhës së qeverisë “Berisha” apo më të vona, ku dyshohen dhe akuzohen si të përfshirë ish ministra, zyrtarë dhe pjesëtarë të rrethit të tij familjar. Jo se nuk është folur edhe më parë për këto afera, por kreu i SPAK i renditi dhe solli elementë të rinj. Në lidhje me tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, për të cilën ish ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu është në proces gjyqësor në GJKKO, Dumani njoftoi se është në hetim  një tjetër fraksion i dosjes për korrupsion dhe pastrim parash që ka lidhje me trafikimin e municioneve dhe se janë nisur drejt SHBA-ve disa letër-porosi për marrjen e provave dhe dëshmive me interes për hetimin. Po hetohet në mënyrë aktive dhe po kryhen veprime të shumta hetimore për çështjen e shumëpërfolur “Cez Dia” ku ka dyshime se janë përfshirë një numër jo i vogël ish ministrash dhe ish zyrtarësh të qeverisë së kohës. Po hetohet rreth lobimit të Metës dhe partisë së tij në SHBA ku janë dërguar letër porosi dhe priten përgjigjet. Po hetohet në mënyrë aktive për shkelje, abuzime dhe pastrim parash afera e privatizimit të klubit “Partizani”. Për të ardhur te më e fundit, Dumani njoftoi se SPAK ka marrë nga Partia Demokratike kallëzim penal për pastrim parash në lidhje ashtuquajturin “Mali i Tiranës”, kulla me 65 kate, 185 metra e lartë që po ndërtohet prapa pallatit të Kulturës. Është hedhur shorti dhe është caktuar prokurori i çështjes që do të vendosë ta riktheje, ta pushojë apo regjistrojë.

Mesazhit “s’ka tabu”, i njëjtë me parimin “Askush mbi ligjin”,  i jep vlerë dhe përmbajtje ajo çfarë SPAK ka bërë e po bën sidomos gjatë vitit të fundit. Aktet premtojnë se hetimet në proces dhe të tjerat të pritshme nuk do të mbesin fjalë. SPAK e ka kaluar tashmë “Rubikonin”, ka shkelur në zonën e ndaluar të sferave të larta, po e çon ligjin atje, po guxon të hetojë aferat me të nxehta, në  shkompleksim gjithnjë e më të madh nga pushteti politik, nga kërcënimet dhe shantazhet e politikanëve dhe banditëve në përpjekjen e tyre të dëshpëruar për të ndaluar drejtësinë.

Mesazhi “s’ka tabu”, i zbatuar në praktikën e përditshme të hetimeve, i duhet Shqipërisë pikësëpari për të bërë drejtësi aty ku vepra penale ka ndodhur. Së dyti, për të bërë transparencë aty ku ka akuza pambarim, sajime e shpifje, por jo vepër penale. Ta përsërisim edhe njëherë atë që thotë princi Makaiavel, sipas të cilit akuzat e provuara në gjykatë i bëjnë mirë shoqërisë, ndërsa akuzat në nivelin e shamatoreve publike, që fusin në një thes të vërteten dhe gënjeshtren vetëm e helmojnë atë dhe ndihmojnë të keqen.

Askush që ka marrë apo kërkon të marrë përgjegjësi nuk mund të shkojë përpara përmes paqartësisë për akuzat në ngarkim. Të drejta apo jo. E ka zgjidhur ligji, e dinë dhe vendosin prokurorët cilat çështje duhet të hetohen e cilat të pushohen. Fajësinë ose pafajësinë e vendos gjykata. Nuk ka vend për të penguar me lloj-lloj marifetesh drejtësinë.

Udhëkryqi i ri ku gjendet sot vendi ynë është ky: të ecë në rrugën e re të sundimit të ligjit apo të vazhdojë në rrugën e vjetër të sundimit të kastave politike, klaneve, bandave. Sundimi i ligjit është historia e re, të cilën nuk mund ta shkruajë kasta plurale solidare që ngriti në sistem pandëshkueshmërinë- gangrenën çerekshekullore të demokracisë sonë. Për të qenë realistë nuk mund ta shkruajnë për momentin as partitë e distancuara nga e vjetra, as të rejat. Pavarësisht dëshirës dhe kontributit që japin. Kasta vazhdon të mbajë të bllokuar sistemin.

Ndaj maja e diamantit që mund të hedhë përtokë ngrehinën e pandëshkueshmërisë është SPAK dhe lidhur me të, drejtësia e re. Vendi ka hyrë tashmë në ketë histori me emrin “askush mbi ligjin”. Drejtësia e pavarur ka marrë rrugë. Është vetëm fillimi. Por është si një stuhi që po ngrihet. Pa bërtitur, pa i rënë gjoksit, me vetëdijen e misionit, me forcën e qetësisë që ia kalon çdo përbetimi histerik, me mbështetjen e fuqishme amerikane.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: