Ish-ministri Ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, ka deklaruar se anëtarësimi i vendit në Bashkimin Europian, duhej të ishe ngjarja më e rëndësishme e vitit jo vetëm me fjalë, por me veprime konkrete.

Ai u shpreh se nisja e bisedimeve është një moment i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët dhe kurorëzim i përpjekjeve të mijëra kontributorëve, por se paradoksalisht ndjehet njëfare apatie dhe lodhje nga ky proces. Më tej ai e krahason rrugën e Shqipërisë drejt BE-së me një rrugë të thepisur.

“Zgjedhja para nesh është e qartë: reformim dhe anëtarësim në BE, që do të thotë mirëqënie, ose zvarritje dhe pranimi i tranzicionit si një gjendje e përhershme”, tha ai.

Në Podcast-in “Public Square”, Bushati flet për nevojën e një platforme sa më përbashkuese për këtë proces, për identifikimin e interesit të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, për përcaktimin e avantazheve të krahasuara, për ruajtjen e pasurisë publike, përfshirjen reale të diasporës, për nevojën e një shërbimi publik, për reformimin e universiteteve dhe kërkimit shkencor, për suksesin që duhet të vijë përmes inovacionit dhe marrjes përsipër të riskut, për konkurrencën e ndershme dhe respektimin e të drejtave dhe lirive politike”, tha ai.

Bushati shtoi se potenciali i brezit të ri duhet vendosur në shërbim te vendit, pasi Shqipëria Europiane duhet të hedhë mbas krahëve ngjarjet e trishtueshme të Otrantos së djeshme, apo të Le Manshit të sotshëm.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb