Aktorja e njohur me famë botërore, Angelina Jolie ka ndarë me 15 milionë ndjekësit në Instagram njoftimin se libri i saj për të drejtat e të rinjve tani është publikuar edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Angelina e ka shkruar njoftimin edhe në gjuhën shqipe.

Libri me titull “Njih të drejtat e tua dhe kërkoi ato”, ka për qëllim që të rinjtë të kuptojnë se cilat janë të drejtat themelore të njeriut.

“Për t’i kërkuar të drejtat tuaja, duhet t’i njihni ato. Neni 42 i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve i detyron qeveritë të sigurohen që fëmijët dhe prindërit të jenë të vetëdijshëm për parimet dhe të drejtat e mbrojtura me konventë.
Jam e lumtur që libri ynë për të drejtat e të rinjve tani është publikuar në Shqipëri, Kosovë, Poloni, Rumani dhe Moldavi”, shkruan aktorja Jolie në profilin e saj në Instagram

Aktorja Angelina Jolie e ka shkruar librin në bashkëpunim me organizatën humanitare për të drejtat e njeriut “Amnesty International”.

48-vjeçarja njihet për aktivizmin e saj pasi ka punuar me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët si Komisionere e Lartë e Kombeve të Bashkuara. UNHCR e ka vlerësuar atë për punën e saj “të palodhshme” në më shumë se 60 misione në terren duke e cilësuar atë si “një nga përkrahëset më me ndikim të të drejtave të refugjatëve në botë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb