Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE – Komisioni i Ekonomisë diskutoi dje nen për nen ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, i cili ka hasur edhe në kundërshtinë e deputetëve brenda maxhorancës. Deputeti i Partisë Socialiste Anasatas Angjeli është shprehur kundër nenit 6, i cili parashikon që një blerësi individi fizik ose juridik, i lind e drejta që të mos paguajë mallin e blerë në rast se nga ana tjetër, nuk i jepet kuponi tatimor.

“Nëse ne mund të rregullojmë një drejtim të një të drejte në sensin pozitiv, ta denoncojë apo ku di unë…por jo që t’i themi mos paguaj. Kështu krijojmë precedentin e mospagimit”,-tha Anastas Angjeli, deputet i PS-së.

Ky nen është kundërshtuar edhe nga deputetët e LSI-së në Komisionin e Ekonomisë. Pas diskutimeve komisioni rrëzoi me shumicë votash nenin që i jep të drejtë blerësit të largohet pa paguar në rast se nuk merr kuponin tatimor.

Diskutimet në komision
Deputetët e Komisionit të Ekonomisë rrëzuan me shumicë votash nenin që u jepte të drejtën blerësve të largohen pa paguar nëse shitësi nuk u lëshon faturën apo kuponin tatimor. Neni, i cili është pjesë e draftit të ri për procedurat tatimore, u kundërshtua fillimisht nga deputetët e opozitës.

Deputeti i Partisë Demokratike, Ridvan Bode, u shpreh se raportet dhe marrëdhëniet mes individëve për konflikte pronësore dhe pasurore, janë në përputhje me Kodin Civil, duke vlerësuar si kinezërira ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore. Ndërsa Anastas Angjeli, deputet i PS-së u shpreh kundër ndryshimit të nenit 6.

“Nëse ne mund të rregullojmë një drejtim të një të drejte në sensin pozitiv, ta denoncojë apo ku di unë…por jo që t’i themi mos paguaj. Kështu krijojmë precedentin e mospagimit”,-tha Angjeli.

Erjon Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë: Me gjithë qëllimet e shprehura nga ju, siç e shikoni ky komision nuk ka vullnetin ta mbështesë këtë pikë. Një tjetër pikë e debatueshme e draftit ishte ajo që u jep të drejtën disa kompanive audituese të certifikojnë bilancet e bizneseve për efekt të pagimit të taksave. “Për çfarë ishte hartuar Anderseni? Nuk ishte një nga më të mëdhatë në botë dhe çoi në gropë të zezë 300 e ca miliardë kursime dhe investime të amerikanëve. Një nga të katërtat ishte. Ju thoni që po ta dhanë firmën këto, shkoni se unë nuk ju prek me dorë. Hiqni dorë nga kjo se është marrëzi”,-tha Florjon Mima, deputet i PD. Ndërkohë ligji është mbrojtur nga zëvendësministrja e Financave, Irena Beqiraj.

“I kemi dhënë të drejtën një subjekti që certifikohet të përfshihet në elementët me risk të ulët, por nëse për arsye të caktuara në menaxhimin e riskut të tatimeve, një subjekt del me risk, absolutisht do të marrë të drejtën që jo vetëm të kontrolloj biznesin, por edhe kompaninë që e ka audituar”,-tha Beqiraj.

Dhjetëfishimi i gjobave për biznesin është kundërshtuar nga opozita, por është mbrojtur fort nga maxhoranca. “Kemi dënim të trefishtë. E para 10 milionë lekë gjobë, e dyta konfiskim të gjithë sasisë së mallit dhe e treta rivlerësim tatimor. 3 penalitete për një shkelje, e para dhe e dyta, nuk ka lidhje fare me dëmin e shkaktuar”,- tha Sherefedin Shehu, deputet i Partisë Demokratike.

Ndërkohë Erjon Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë: Ju thoni që po i merr frymën. Nuk po i merr frymën, po i themi që të rrijë i ligjshëm, 100 milionë, konfiskim dhe rivlerësim tatimor, patjetër. Drafti i ri i procedurave rrit fort masat shtrënguese ndaj evazionit fiskal. Disa pika të tij kanë shkaktuar skepticizëm edhe brenda vetë maxhorancës.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: