NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Maturantët që kanë zgjedhur të japin si provim me zgjedhje gjuhën angleze, ndoshta këtë vit do ta kenë më të vështirë provimin. Për herë të parë ata do t’i nënshtrohen një testi ndërkombëtar, ‘TOEFL Junior Standard Test’. Ndryshe nga provimet e tjera me zgjedhje, që në total kanë 25 pyetje, test i anglishtes me zgjedhje do të përmbajë 126 pyetje me alternativa në nivelin gjuhësor B2. Maturantët nuk duhet ta ngatërrojnë me gjuhën e huaj me detyrim D3, të cilës i nënshtrohen të gjithë maturantët, në varësi se kë kanë gjuhë të huaj të parë (anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht) dhe ka një nivel gjuhësor B1.

TESTI I ANGLISHTES
Në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, është përcaktuar se për herë të parë këtë vit, maturantët që kanë zgjedhur në formularët A1 dhe A1Z si lëndë me zgjedhje gjuhën angleze, do t’i nënshtrohen një testi të njohur ndërkombëtarisht, ‘TOEFL Junior Standard’. Testi zhvillohet me shkrim dhe ka nivel gjuhësor B2. Ai përmban 126 pyetje me alternativa dhe zgjat 1 orë 55 minuta. Testi përbëhet nga tri pjesë: pjesa e parë dëgjimi, pjesa e dytë gramatika dhe fjalori, pjesa e tretë leximi. Ky lloj testi nuk është i bazuar mbi udhëzime të caktuara, prandaj nuk ka asnjë libër shkollor apo metoda studimi, të cilat ju ndihmojnë për t’u përgatitur për provimin.

Ndaj, maturantët duhet që të praktikohen me modele testesh për t’u shkathtësuar, sepse secila pjesë e testiti ka një kohë të caktuar që duhet të plotësohet. Secila pjesë përmban nga 42 pyetje. Pjesa e parë zgjat 40 minuta, pjesa e dytë 25 minuta dhe pjesa e tretë 50 minuta. Në çdo sallë do vendoset një orë ku maturantët të shikojnë kohën e informohen dhe administratori i testit do t’u tregojë kohën se kur duhet të fillojë dhe të mbarojë plotësimi për secilën nga tri pjesët e testit.

Kujdes duhet edhe në plotësimin e fletës së përgjigjes, pasi është ajo që ka vlerë, sepse korrigjimi i testit është elektronik. Secila pyetje ka katër rrathë me përgjigjet alternative, maturanti duhet të mbushë me laps vetëm njërën prej tyre, sepse për çdo pyetje, vetëm njëra nga alternativat është e saktë. Testi përmban disa pyetje, të cilat mund të mos vlerësohen me pikë, ndërsa pyetjet e tjera vlerësohen me pikë të barabarta. Në bazë të marrëveshjes ndërmjet “Education Testing Service Global BV” dhe Ministrisë së Arsimit, testi i provimit me zgjedhje të Gjuhës së Huaj anglisht, “TOEFL Junior Standard Test”, do të hartohet dhe do të vlerësohet nga ‘ETS Global’. Provimi i Gjuhës së Huaj anglisht do të zhvillohet më datë 24 qershor 2016 dhe zgjat 1 orë 55 minuta dhe në mbarë vendin do të fillojë në orën 13:30 dhe do të përfundojë në orë 15:25. Për t’u ardhur në ndihmë maturantëve, “GSH” bashkangjitur shkrimit publikon teste dhe ushtrime të zgjidhura të këtij lloji provimi.
(Testet mund ti lexoni sot ne Gazeta Shqiptare ne print)
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: