Aktorja Anila Bisha ishte e ftuar këtë të diel në programin “Dola te Ola”, ku bëri një rrëfim për jetën e saj profesionale, por edhe për atë private. Me anë të fotografive aktroja rrugëtoi nëpër kujtime dhe me nostalgji e shumë dashuri foli për rolet e saj.
Bisha tregoi se pas pjesëmarrjes së saj në filma kur ishte ende studente ka qenë shumë e kërkuar, qoftë edhe për festivale, por ajo zgjidhte t’i shmangte pasi asokohe nuk e mendonte që filmi do të tkurrej dhe pjesëmarrja në të do të ishte luks, “Nuk doja të digjja portretin”.
Me sinqeritet aktorja tha se të qenit gruaja e një regjisori, Besnik Bishës, e ka bërë edhe më të vështirë rrugëtimin e saj në art, pasi shihej me një sy tjetër. Ajo theksoi se se të gjitha rolet i ka marrë me kinoprovë dhe nuk është e vërtetë që ajo është përzgjedhur të luajë në filmat e Besnikut, pasi është bashkëshortja e tij.
Një nga rolet për të cilin është vlerësuar me çmime të rëndësishme, është ai te “Bolero”, një film rrëqethës dhe shumë aktual për kohën kur është realizuar, në vitin 1996. “Unë kur e kam lexuar skenarin jam tronditur. Jam ndjerë shumë mirë, kam patur një lloj sigurie se kam punuar me aktorët më të mirë të filmit shqiptar, Robert Ndrenikën dhe Pavlina Manin”, tha ajo, teksa shtoi se ka qenë edhe garancia e regjisorit, Besnik Bishës, pasi sipas saj ai i mëshon lojës së aktorëve, duke kërkuar me ngulm emocionin e vërtetë.
Shfaqja e fundit në teatër e aktores ka qenë te “Ivanov” pak muaj më parë, ku ajo duhet të interpretonte rolin e një gruaje në moshë të thyer. Edhe pse si fillim ishte skeptike, Bisha tha se një aktor i mirë duhet të shfaqet në të gjithë dimensionet, duke u shprehur e lumtur që e ka realizuar. “Jam shumë e kënaqur. Nuk më ka njohur njeri. Kam bërë gjënë më të mirë që e pranova”.
Shembjen e Teatrit Kombëtar Anila Bisha e cilësoi si një gabim fatal, pasi sipas saj fare mirë mund të ndërtohej një teatër i ri në një vend tjetër, pa qenë nevoja të prishej i vjetri, thjesht të rikonstruktohej. Në Teatrin Kombëtar po ngjiten edhe trupa private, dhe meraku i aktores është se këto trupa ndikohen nga komercialiteti dhe kjo gjë mund të ndikojë te shijet e publikut.
“Skena e Teatrit kombëtar është e shenjtë, në atë skenë nuk mund të jepen shfaqje dosido”, tha aktorja, duke theksuar se dy salla teatri në kryeqytet janë të pamjaftueshme.
