Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte aktorja Anila Bisha, e cila ndër të tjera foli për jetën e saj familjare. Ajo tregoi se ka qenë 6 vjeçe kur babai i saj ka ndërruar jetë për shkak të një aksidenti me motor. “Mbaj mend shumë pak momente me të. Fatkeqësisht mbaj mend ditën kur është aksidentuar”.

Ajo rrëfeu se ka patur një lidhje shumë të ngushtë me nënën e saj, e cila rriti e vetme 6 fëmijë jetimë. “Ka qenë një grua e jashtëzakonshme. Kam qenë shumë e lidhur me të. Pas ‘90 të gjithë emigruan, përveç meje dhe njërit vëlla”.

Ajo tregoi se kishte një dëshirë të madhe për t’u bërë aktore që e vogël, por ishte një fëmijë pa përkrahje dhe dukej gati e pamundur realizimi i asaj ëndrre. Në moshën 14-vjeçare një montazhiere e Kinostudios e çoi aktoren te Rikard Ljarja, që po kërkonte një vajzë të vogël për një rol. “Familja mezi më ka lënë. Ishte shumë e rrezikshme”, tha ajo, teksa tregoi se një mbështetje e madhe për të ka qenë njëra prej motrave, e cila ka qenë soliste e Ansamblit Migjeni, “Ishte 8 vite më e madhe, ka qenë një shtysë dhe shembull për mua”.

Gjatë bisedës Anila rrëfeu edhe marrëdhënien që ka me bashkëshortin e saj Besnikun. Ajo tha se është shumë e lumtur për zgjedhjen që ka bërë, teksa tregoi se kur e ka njohur, ai nuk ka qenë regjisor. “Kur e zgjodha ishte një djalë i mençur. Me pëlqenin bisedat me të, humori, ishte i dashur dhe djalë shumë i pashëm. Kaloja mirë”, tha ajo.

Aktorja kujtoi se ata janë njohur në dhomat e grimit kur regjistrohej filmi “Familja ime”. Ndërkohë te filmi “Sinjal Dashurie”, Besniku ishte asistent-regjisor. Ata sapo kishin filluar të dilnin bashkë dhe ai ia kërkoi aktores si nder që ajo të luante në atë film. Aktorja tha se ky film shërbeu për të njohur më mirë njëri-tjetrin dhe aty lidhja e tyre u konsolidua.

Anila dhe Besniku janë bekuar me dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Aktorja ka sakrifikuar karrierën për të qenë pranë fëmijëve të saj deri në momentin që i ka dërguar në Austri me studime. “Kam sakrifikuar për dy fëmijët. Nuk më tundonte asgjë rol, asnjë punë”.

Moment i bukur për aktoren ishte kur në studio u shfaq një videomesazh surprizë nga vajza e saj. “Jam krenare për familjen që kam”, tha aktorja shumë e emocionuar.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: