Sot Anri Sala njihet në të gjithë botën për punët artistike dhe instalacionet e tij po shfaqen në ekspozitat më të njohura.

Në intervistën me gazetaren Rudina Xhunga, për ciklin “Shqiptarët e Mrekullueshëm”, Anri Sala ka treguar punën e tij të parë, kur ishte student. Ai shprehet se, për të realizuar videon e tij të parë, mori me qira një kamera te Fondacioni i Soros.

“Në fund të viteve ’90, nuk ishte krijuar akoma tisi i cinizmit, lodhjes, që gjërat nuk arrihen ndershmërisht, e të tjera, ca të vërteta, e ca të pavërteta. Shpesh janë edhe justifikime për të mos i shkuar deri në fund luftës personale, në lidhje me jetën. Kam përshtypjen se ka pasur shumë energji në fillim fare, por nuk ka pasur mundësi siç janë sot për t’u shprehur artistikisht. Unë mbaj mend videoja e parë që bëra kur isha student, m’u desh të aplikoja te fondacioni Soros, për të pasur një kamera, në përdorim, një ditë.

Kështu e kam bërë videon e parë në akademi. Duke ditur që e kisha kamerën vetëm për një ditë dhe do ta xhiroje filmin duke e montuar, sepse nuk i kishim mundësitë e montazhit. Do të thosha që ka shumë mundësi tani, në Tiranë, sesa ka pasur atëherë. Mbase atëherë ishte dëshira për ta bërë një gjë, e cila ishte e ndaluar për një kohë të gjatë, ishte një lloj lirie shprehjeje. Me kalimin e kohës, me tranzicionin, me lodhjen, një pjesë e humbi besimin se edhe kështjellat në ajër, mund të bëhen realitet”, u shpreh Sala.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb