Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, i pandehuri kryesor për aferën e inceneratorit të Tiranës, pritet të rikthehet sërish në qelitë e burgut pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm, e cila e cilësoi fajtor për shpërdorim detyre dhe e dënoi me 2 vite burgim. Ndryshe nga Gjykata e Posaçme, shkalla e dytë vendosi të prishë një pikë të vendimit që lidhej me shuarjen e masës së sigurisë, gjë që automatikisht e rikthen ish-zyrtarin e lartë në burg. Sipas përllogaritjeve, Kokës i kanë mbetur edhe rreth 6 muaj burgim.
Jetmir Llapaj u dënua nga Apeli i Posaçëm me 8 muaj burg për “shpërdorim detyre” dhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike. Më herët, Gjykata e Posaçme e kishte shpallur të pafajshëm.
Për të pandehurit Erjon Murataj, Namik Simixhiu, Bledar Karoli, Taulant Tusha dhe Valbona Ballgjini nuk pati surpriza, pasi mbeti në fuqi dënimi përfundimtar me nga 2 vite burgim secili, të cilat tashmë janë shlyer. E njëjta situatë me Sidita Koplikun, e cila është dënuar me 80 orë punë në interes publik.
Në një proces të ndarë, ish-deputeti socialist Alqi Bllako është gjykuar veçmas për aferën e inceneratorit të Tiranës dhe u dënua me 2 vite e 8 muaj burgim.
SPAK arriti në konkluzionin se kompania koncesionare ka qenë në dijeni të rrethanave konkurruese para se të shpallej procedura dhe është ndihmuar nga zyrtarë publikë në përgatitjen e dokumentacionit apo paraqitjen e ofertës fituese që e shpalli atë fituese. Me vendim të SPAK, kompania koncesionare “Integrated Energy BV SPV” është vënë nën sekuestro.
Ndërsa Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto, që sipas Prokurorisë së Posaçme janë pronarët faktikë të inceneratorit të Tiranës, vijojnë të jenë në arrati.
