Arabia Saudite dhe Jemeni nënshkruan një marrëveshje për furnizim me derivate të naftës me të cilat do operojnë më shumë se 80 termocentrale me qëllim të parandalimit të ndërprerjes së vazhdueshme të energjisë në Jemen, transmeton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshja përfshin një grant të derivateve të naftës me vlerë prej 422 milionë dollarë, gjithsej 1.26 milionë tonë metrikë. Nafta do të përdoret “për lehtësimin e vuajtjeve (të popullit jemenas), për mbështetjen e ekonomisë së Jemenit dhe për zhvillimin e infrastrukturës së saj”, njofton agjencia shtetërore saudite e lajmeve, SPA.

Për shkak të shterimit të karburantit me naftë që përdorin termocentralet, shumë provinca të Jemenit përballen me ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike.

Duke folur gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Rijad, Mohammed bin Saeed Al Jaber, ambasadori i Arabisë Saudite në Jemen, tha se marrëveshja do t’i shërbejë Jemenit përmes funksionimit të termocentraleve, duke kontribuar në përmirësimin e shërbimeve dhe mbështetjen e paqes dhe shpresës.

Al Jaber theksoi se granti do të “kontribuojë në mënyrë aktive në rimëkëmbjen e jetës ekonomike dhe shoqërore, do të forcojë pozicionin financiar të qeverisë së Jemenit dhe do ta ndihmojë atë të përmbushë detyrimet e saj të tjera, të cilat përfshijnë pagesën e pagave dhe mëditjeve për punonjësit dhe përmirësimin e shërbimeve të sektorëve bazë”.

Jemeni është zhytur në një dhunë dhe kaos që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana. Kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur koalicioni i udhëhequr nga sauditët nisi fushatën ajrore shkatërruese që synonte të rikthente territoret e pushtuara nga Huthit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb