Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, i ftuar në studion e lajmeve në News 24, komentoi deklaratën e bërë nga Taulant Balla një ditë më parë që e cilësonte “dosjen “CEZ” shembullin e pagesave të tarifës së korrupsionit me plotë “6.8 milionë euro” brenda një dite të vetme në qershor 2009, 2 javë pas privatizimit OSSH, 2 javë para zgjedhjeve parlamentare të Qershorit 2009. Paratë nga Banka Raiffeisen në qendër të Tiranës, sipas Ballës.

Sipas Malajt, dosja CEZ duhet të hetohet deri në fund. Për të problem për ekonominë shqiptare është bërë edhe pastrimi i parave të pista.

“Pavarësisht çfarë artikulon zoti Balla, unë jam i mendimit se dosja “CEZ” duhet të hetohet deri në fund, se të dalë një sasi kaq e madhe parash nga Raiffeisen dhe t’i jepet një individi, sigurisht që ka shkelje të rregullave. Institucioni që do bënte kontrollin në këtë rast është BSH. Raste të tilla të investigohen deri në fund dhe të parandalohen. Pastrimi i parave godet ekonominë shqiptare. Kjo është një pikë e dobët, tendencat për korrupsion duhen hetuar se rrezikojnë jo vetëm tregun por edhe qeverisjen rritet korrupsioni nga paratë e pista, ndodh kapja e shtetit”,- tha ai.

Në lidhje me situatën ekonomike të vendit pas pandemisë së COVID 19, Malaj tha se parashikohet një rënie ekonomike deri në 9%, ndaj kërkoi më shumë angazhim nga qeveria.

“Duke parë edhe raportin e FMN, janë të gjitha shenjat që ekonomia po kalon një krizë të rëndë. Duhet të ndërgjegjësohemi që sfida është më e madhe. Ne si shqiptarë duhet ta sfidojmë këtë krizë. Nuk mund të ushqejmë frikën se mund të mbyllemi prapë nëse ka rritje të rasteve me COVID 19. Më shumë më duket si reagim arrogant i Ramës se sa reagim që jep zgjidhje. Ne duhet të heqim çdo pengesë që ekonomia të çlirohet”,- tha Malaj.

Gjatë komunikimit të tij, Malaj foli po ashtu për një surprizë të PAA-së në zgjedhje, parti nën logon e së cilës pritet të garojë në zgjedhjet parlamentare.

“Unë nuk jam pjesë e saj, mendoj që ajo mund të sjellë ndryshim në politikën shqiptare. Unë kandidoj në këtë status, do marr përsipër të jem pjesë e listës elektorale të kësaj partie. Pres që PAA të jetë surpriza e këtyre zgjedhjeve”,- tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: