Dekani i Universitetit të Arteve në Tiranë Ardian Isufi në një lidhje live me Skype në “News 24” deklaroi se edhe gjatë pandemisë së Covid-19, universiteti që drejton nuk ka humbur konktaktet me studentët.

Isufi tha se puna në Universitetin e Arteve është dhe konkrete, ndaj uron që në qershor, studentët të kthehen në universitet edhe fizikisht.

“Ne komunikojmë online me studentët. Në vazhdim do të shikojmë sesi do të shkojë karantina. Unë mendoj se në një të ardhme të shpejtë duhet menduar nga Ministria e Arsimit, nëse do ketë zgjatje të vitit akademik. Shqipëria po ashtu është në ritmin botëror të pandemisë. Qershori mund të jetë periudhë kur ne do nisim punën tonë konkrete dhe në mënyrë normale e jo në distancë.  Viti akademik duhet mbyllur me provimet”, tha Isufi.

Ardian Isufi vlerësoi se puna në atelie është shumë e rëndësishme për një student të Universitetit të Arteve, ndaj uron një kthim të studentëve në ambjentet universitare.

“Përpjekjet janë maksimale. Jemi tamam si në një gjendje të luftës dhe nuk mund të marrim si në kohë normale punët. Por, ne përpiqemi që të mbajmë në kontakt studentët dhe japim po ashtu  leksionet e punët konkrete. Por, procesi ynë lidhet shumë me punën konkrete. Duhet të gjejmë sa më shpejt mënyrën që studentët t’i mbajmë sa më afër. Kjo situatë ndikon edhe tek ne qoftë si artistë”, u shpreh ai.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb