Pas kualifikimit his torik të Shqipërisë në Europianin 2016, si shpërblim kryeministri Edi Rama premtoi edhe ndërtimin e “Arenës Kombëtare” në Tiranë. Impianti në kryeqytet bëhet i domosdoshëm edhe prej vonesave në rikonstruktimin e stadiumit “Loro Boriçi”. Për këtë arsye, pritet që së afërmi të nisin punimet për stadiumin e tretë modern në vend, i cili do të jetë alternativë e “Elbasan Arena”.
Pas tre muajve, pra duke nisur prej janarit 2016, do të nisë shembja e impiantit të vjetër “Qemal Stafa”, aty ku do të ndërtohet edhe stadiumi i ri. I gjithë procesi parashikohet të zgjasë rreth gjashtë muaj, periudhë gjatë së cilës Kombëtarja do të jetë në Francë, e angazhuar në finalet e Kampionatit Europian. Projekti mbetet i njëjti me atë që Federata e Futbollit ka paraqitur disa muaj më parë.
I dizenjuar nga italianët, impianti parashikohet të ketë 22 mijë vende dhe të jetë i gjithi i mbuluar. Sipërfaqja e ndërtimit do të jetë 43 mijë metra katrorë. 8 mijë metra do të shfrytëzohen si njësi komerciale, ndërsa 4 mijë metra do të jenë në dispozicion të federatës për ambiente dhe zyra.
Projekti i stadiumit karakterizohet nga një kullë e lartë, e cila do të shërbejë si restorant ekskluziv. FSHF-ja vazhdon negociatat për kushtet e koncesionit, ndërsa ndërtimi i impiantit modern pritet të përfundojë në vitin 2018.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
