Nga Arion Sulo

Vetëm një vit pas zgjedhjeve, kur jeta politike dukej e kalçifikuar dhe e shkretë, vala e protestave të qytetarëve arriti brenda një jave, jo vetëm të ringjallë shpresën se shqiptarët reagojnë ndaj keqqeverisjes, por edhe të shtrojë seriozisht pyetjen: A ka kjo protestë potencialin për të larguar kryeministrin Edi Rama nga zyra ku qëndron prej 13 vitesh?

Nga ajo që kemi parë këto nëntë ditë, potenciali është në bulevard, por përgjigja do të varet nga qëndrueshmëria e protestuesve dhe testi i kohës.

Së pari, protesta lindi si nismë e ambientalistëve për Zvërnecin dhe banorëve të zonës, por brenda dy ditëve e tejkaloi resortin luksoz të familjes Trump dhe tanimë ka si motiv modelin e qeverisjes dhe si kërkesë kryesore, largimin e Kryeministrit.

Së dyti, protesta po rritet përditë në numra dhe në frymë. Ajo është tashmë një pikë takimi në qytet dhe kjo tregon se është e pashmangshme. Njerëz të lirë dhe jo të detyruar apo paguar nga partitë e kanë kthyer në një ritual dhe destinacion të ditës së tyre, çka e bëri qesharak Ramën kur deklaroi se në një moment ishin 2 mijë vetë.

Siç nuk kishte ndodhur asnjëherë në një protestë jo partiake, në mes të verës, me kalimin e ditëve janë bashkuar qytetarë nga të gjitha kategoritë shoqërore dhe me bindje të ndryshme politike dhe fetare. Kjo nuk tregon, siç thonë kritikët, dobësinë e saj, por një kërkesë që bashkon të gjitha shtresat e shoqërisë dhe që tregon qartazi degradimin e gjendjes.

Të rinjtë – që janë pjesa më e madhe, janë kundër Ramës, sepse kanë parë sesi sistemi i ndërtuar prej tij i ka përjashtuar dhe i ka detyruar që të emigrojnë. Nëse nuk bëhesh patronazhist, nëse nuk i lëpihesh dikujt në shtet dhe në privat në këtë vend, edhe sikur të jesh gjeni zor se të përfshijnë dhe të përfillin.
Modelet e suksesit që ata shohin i çojnë në përfundimin se arsimimi i mirë, aftësia dhe puna e ndershme nuk shpërblehen. Është hera e tretë pas protestave të dhjetorit ’90 dhe asaj të studentëve të 2018, që të rinjtë dalin masivsht për të kërkuar largimin e qeverisë. Atë kohë, Rama i tronditur bëri gjithçka për ta shuar dhe ia arriti.

Së treti, fryma dhe konsensusi i përhapur popullor se Rama nuk duhet të jetë më vërdallë, vjen për shkak të sistemin të korruptuar që ai ka çimentuar këto 13 vite. Pjesëmarrësit në protestë po mbajnë atë përgjegjës për përdorimin e pushtetit për interesat personale, për klientelizimin e një grushti oligarkësh, për kapjen e institucioneve, medias dhe opozitës.

Pothuaj çdo gjë me rëndësi në këtë vend kalon nëpërmjet tij ose të besuarve të tij. Punësimi në shtet, biznesi, lejet e ndërtimi, licensat, pronat, krimi, etj janë të gjitha territore, ku kjo qeveri është e dyshuar për korrupsion dhe favorizime me qëllim zgjatjen e pushtetit të saj. Nga vendimi për pllakat e sheshit të Përrenjasit e deri tek toka e dyshimtë e resortit të Zvërnecit shihen të gjitha si akte të ndërtuara mbi korrupsion moral, politik dhe financiar. Kjo është fryma kryesore e protestës dhe zor se zhduket me negociata me palën përballë.

Së katërti, protesta po tregon qëndrueshmëri. Por edhe pse nëntë ditë nuk janë pak për të dhënë mesazhe të forta, janë shumë pak për ta rrëzuar qeverinë. Ndaj varet sesa kjo protestë do i qëndrojë kohës për të parë nëse do t’ia arrijë qëllimit.

Ajo duhet të kalojë këtë test. Sa më shumë njerëz dhe sa më gjatë. Përballë ka një pushtet që do bëjë gjithçka për ta dështuar, me dizinformim, blerje dhe rezistencë, të cilën Rama pritet ta bëjë gjatë, duke u mbështetur tek 855 mijë votat që mori në 2025.

Por protesta ka krijuar një realiteti të ri politik. Shumë nga ata që e votuan një vit më parë janë në shesh duke i kërkuar të ikë. Mijëra votues nga ata të majit të kaluar e kanë grisur kontratën elektorale që kishin me të dhe sot kërkojnë të punësojnë një kryeministër tjetër.

Një rrugë tjetër për largimin e Ramës është kthimi i protestës në parti politike dhe pjesëmarrja në zgjedhjet e radhës që janë në vitin 2029. Por deri atëherë do të rrjedhin shumë ujëra dhe ndoshta flamingot do të jenë trembur nga zhurmat e sheshit që nuk i mbrojti dot./ Mapo

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb