NGA FATMIRA NIKOLLI

Instituti i Antropologjisë pranë Qendrës së Studimeve Alban ologjike refuzon t’i japë Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi” një fond prej 1300 xhamash të Kolë Idromenos. Në përgjigje, Instituti tregohet i hapur për bashkëpunime mes institucioneve, por thotë se nuk mund të japë arkivat e vet, të cilat i ka ruajtur prej 70 vitesh.

Një javë më parë, drejtori i “Marubit” i kërkoi publikisht këta xhama, pjesë e fondit të Institutit të Antropologjisë: “E përfundoj fjalën time duke risjellë në vëmendje edhe njëherë apelin për kalimin pranë Muzeut ‘Marubit’ të 1300 negativëve të Kolë Idromenos që aktualisht ndodhen në Qendrën e Studimeve Albanologjike, për t’u ruajtur dhe konservuar sipas kushteve bashkëkohore të cilat në Shqipëri i disponon dhe ofron vetëm arkiva e muzeut tonë.”
KOL IDROMENI

REAGIMI
“Gazeta Shqiptare” ka kërkuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike një reagim për kërkesën e Muzeut Kombëtar të Fotografisë “Marubi”. Në përgjigje të kësaj kërkese, arkivistja Arjana Seiti, tha për “GSH” se “kohët e fundit artikulohet nga drejtori i Muzeut ‘Marubi’, z. Luçjan Bedeni, një kërkesë për të kaluar në pronësi të këtij muzeu, fondin e Idromenos, i cili gjendet prej më se 70 vjetësh në këtë institucion. Sipas tij, fondet e Idromenos në Qendrën e Studimeve Albanologjike në zotërim të Institutit të Antropologjisë Kulturore, nuk ruhen në kushte fizike bashkëkohore.

Më duhet të saktësoj se QSA, si një nga institucionet më dinjitoze për sa u përket shkencave albanologjike, i përball shpenzimet përmes buxhetit të shtetit”. Më tej, Seiti shtoi se “duke e ndërprerë në këtë mënyrë këtë logjikë, mendoj se një institucion që ruan prej 70 vitesh një fond të tillë dhe shumë të tjerë si ky (në përbërje të këtij institucioni ndodhen gjashtë arkiva), jo vetëm janë mbajtur e mirëmbajtur, por do ishte paradoks të akuzosh se nuk mirëmbahen”.

Sipas saj, sigurisht që Fondi i Fotografisë fare mirë ndikon në pasurimin e ekspozitave, por që mund të zgjidhet me marrëveshje bashkëpunimi institucional dhe jo me akuza të pabaza. “Edhe institucioni ku unë punoj prej 15 vjetësh ka promovuar ekspozita brenda e jashtë vendit, ku në fokus kanë qenë fotografitë e Idromenos e të Marubit. Nëse kërkohet një bashkëpunim për ekspozitë, patjetër, le të vijnë, bëhen kontrata bashkëpunimi mes dy institucioneve, që janë bërë më herët, si p.sh. me Muzeun Historik Kombëtar, thuajse janë të përvitshme”, – kujton ajo.

SI ERDHËN XHAMAT
Arjana Seiti jep edhe një historik të shkurtër të arkivit të Institutit të Antropologjisë: “Në lidhje me historikun e ardhjes së fondit xham të Idromenos apo të Marubit, duhet të saktësojmë se ky fond u trashëgua pikërisht nga Instituti i Studimeve (1941), për të cilin shkurtimisht bëmë një hyrje, dhe sot gjendet pranë një Qendre Kërkimore Shkencore Albanologjike falë këmbënguljes së studiuesit të Etnografisë Shqiptare Rrok Zojzi, i cili e kish parë të arsyeshme, si një fond që i nevojitej më shumë se kujtdo këtij sektori, i cili në studimet e tij të mëvonshme do të trajtonte kulturën, doket dhe zakonet e një populli”.

Ajo tregon se riorganizimi i Institutit të Studimeve në 1947, pranë Universitetit të Tiranës, do të përcaktonte strukturën e këtij organizmi dhe fushat e studimit, ku një seksion varionte në sektor. “Një ndër to rezultonte seksioni i historisë, sociologjisë dhe ekonomisë, në të cilin do të atashohej sektori i Etnografisë (që vite më vonë do t’i bashkëngjitej Institutit të Kulturës Popullore, sot IAKSA). Pranë Institutit të Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (Departamenti i Etnologjisë) ruhet një arkiv FOTOTEKË- SKICOTEKË- HARTOTEKË, i cili daton në vitin 1951.

Seiti tregon se në të është arkivuar një material i përbërë nga: film bardhezi, negativ bardhezi, diapozitiva dhe negativa kolor, xhama fotografikë, fotografi, skica dhe harta, ku më së shumti u përket ekspeditave të terrenit që ndërmerreshin nga punonjësit shkencorë të Departamentit të Etnologjisë, por pa lënë mënjanë edhe ato të Departamentit të Folklorit si dhe nga bashkëpunëtorët e jashtëm të këtij institucioni.

ARKIVI
“Kryesisht filmoteka ruan të fiksuara aspekte nga më të ndryshmet të kulturës sonë materiale dhe shpirtërore: veshje dhe pjesë veshjesh, stoli, pajisje, vegla pune, zejtari dhe prodhime të tyre, teknologji popullore, banesa dhe vendbanime fshatare e qytetare, instrumente muzikore, valle e shumë të tjera. Një pjesë e mirë e objekteve të fiksuara nuk ekzistojnë më. Në këtë këndvështrim ky arkiv përbën fakte me shumë vlerë, ku dokumentimi serviret për studimet dhe botimet shkencore apo ilustrative në lidhje me traditën”, – sqaron arkivistja Arjana Seiti.

Specialistja tregon se në këtë arkiv të fotografisë ruhen jo vetëm xhama të Idromenos, Marubit, por ka edhe shumë autorë të tjerë, të cilët kanë dokumentuar përmes shkrepjes së aparatit fotografik situata antropologjike nga më të larmishmet, kur flasim për një periudhë kohore të fillimshekullit XX. “Janë bërë studime mbi fotografinë e Marubit dhe bëhen ende studime mbi fotografinë e Kolë Idromenos, nga studentë që mbrojnë doktoraturën pranë Qendrës së Studimeve Albanologjike”, – thotë ajo.

KUSHTET E RUAJTJES
Sa u takon kushteve të ruajtjes, Seiti bën me dije se falë një projekti me italianët rreth 15 vite më parë është përfituar një mirëmbajtje më dinjitoze për fondin. “Por, sigurisht që teknologjitë dhe kërkesat për mirëmbajtjen e arkivave rriten nga dita në ditë”. Vërejtjes sonë që Luçjan Bedeni në kërkesën e tij, u referohet kushteve që ka aktualisht Muzeu “Marubi”, Seiti i përgjigjet: “Jo, ai nuk u referohet kushteve që ka tani, por para një muaji ‘Marubi’ ka fituar një projekt me Ambasadën Gjermane për ruajtjen fizike të Fondeve të Muzeut ‘Marubi’, lajm të cilin e kam mësuar përmes mediave. Kjo s’do të thotë se pasurimi i një fondi nga ana e tij nuk mund të bëhet në kurrizin e një institucioni, ca më shumë kur ky institucion studion traditat dhe kulturat e një kombi”.

Për specialisten, kushtet e ruajtjes janë krejt normale, fondi ruhet në rafte metalikë, që erdhën dhuratë falë projektit me italianët. “Ruhen brenda parametrave të kërkuar, ku lagështira dhe temperatura mbahen nën kontroll. Një nga kërkesat më specifike për fondin xham janë disa zarfe të përmasave të ndryshme sipas përmasës së xhamit, ku shpresojmë që me nisjen e këtij viti të bëhet blerja e tyre. Mendoj se ruajtja fizike e tyre nuk ka se si të çalojë prej një shume prej 2000 eurosh (shuma që kushtojnë zarfet specifike)”, – e mbyll ajo reagimin e saj për “GSH”.

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb