Arlind Qori ka shpallur kandidaturën për të garuar për kryetar bashkie i Tiranës.

Në një reagim të bërë në faqen e tij zyrtare në Facebook, Qori shkruan se pas propozimit të bërë nga “Lëvizja BASHKË” ka pranuar që të futet në garë, përballë Erion Veliajt nga PS, dhe Belind Këlliçit nga PD.

“Kur aktivistet/ët e Lëvizjes BASHKË më propozuan të kandidoja për Bashkinë e Tiranës, nuk isha i bindur. Dy gjëra më bezdisnin: 1. Parimi se një lëvizjeje si jona nuk i shkon të nxjerrë të parin gjithmonë “kryetarin”, por duhet të jetë novatore dhe e guximshme në propozime. 2. Unë nuk jam mësuar dhe nuk kam ndër mend të mësoj se si bëhet fushatë për veten. S’do të më pushonte goja nëse do t’u kërkoja bashkëqytetarëve votën për një punëtor, student apo intelektual të guximshëm. Po për vete, “më votoni mua sepse kështu e ashtu!”, meazallah.

Gjithsesi çka më bindi në fund ishte vështirësia e garës dhe pritshmëria që ndaj Lëvizjes BASHKË do të nisë një fushatë sulmesh e shpifjesh të cilat askush më shumë se unë, më i përkëdheluri aktivist, nuk meriton t’i mbajë mbi shpinë e t’i durojë në fytyrë.

Kështu pra, të dashur miq, me apo pa njohjen e gjykatës, me 3000 apo 7000 nënshkrime qytetarësh, me apo pa mbulim mediatik, me të gjithë të pushtetshmit, oligarkët e zullumqarët kundër, por me zemrën dhe sakrificat e përditshme të qindra shoqeve e shokëve të mi në Lëvizjen BASHKË dhe, me shpresë, me mbështetjen e shumë e më shumë qytetarëve në këtë rrugë, emrin tim do të keni mundësi ta lexoni në fletën e votimit për kandidat të Bashkisë së Tiranës. BASHKË PËR TIRANËN!”, shkruan Qori.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb