Një ditë pasi prokuroria e Tiranës lëshoi 40 urdhër-arreste, nga të cilat janë arrestuar 31 zyrtarë dhe ish-zyrtarë në lidhje me dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit, gazetarja Klodiana Lala tregon të tjera detaje nga megaoperacioni i djeshëm. E ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Lala tha se gjatë hetimit të saj prokuroria ka konstatuar një sërë problematikash. Në foks të hetimit sipas saj kanë qenë jo vetëm godinat e reja, por dhe ato të ndërtuara para viteve 90 si dhe godinat shtetërore. Mes të tjerash gazetarja Lala tha se pjesë e hetimit në fjalë do të bëhen edhe ekspertë të huaj, shkruan ‘BalkanWeb’.

“Mbetet për t’u parë sa larg do shkojë prokuroria në grumbullimin e provave për t’i mbajtur ata pas hekurave. Pritet të vijnë ekspertë të huaj, mendohet nga Italia, për të asistuar në këtë hetim, pasi asnjëherë Shqipëria nuk ka pasur një lloj të tillë hetimi.”, tha Lala.

Ç’mund të na thoni në lidhje me aksionin e policisë së Tiranës për arrestimet masive?
Janë dërguar pas hekurave zyrtarë e ish-zyrtarë, por edhe arkitektë e ndërtues. Ky hetim pritej të kishte rezultate, për sa kohë kishte dëmtime nga tërmeti. Ky hetim që është finalizuar me këto arrestime ka të bëjë me ato objekte që janë dëmtuar rëndë nga tërmeti dhe janë konsideruar të pabanueshme. Duhet të theksojmë se Prokuroria e Tiranës nisi një hetim, i kërkoi informacion bashkisë për të gjitha lejet e ndërtimit. Konstatoi se problematikat janë të shumta. Ish-kryetari i Komunës së Farkës, akuzohen për shpërdorim detyre. Lejet e dhëna prej tyre nuk janë zbatuar si duhet, cilësia e ndërtimeve ka qenë shumë e dobët. Ka pasur ndërhyrje në strukturë. Objekt hetimi nuk kanë qenë vetëm objektet e ndërtuara së fundi, por edhe të para viteve 90’, siç ishin ato të Kombinatit, ku humbi jetën e reja që i ra një tullë në kokë. Në këtë objekt kishte ndërhyrje në strukturë, i ishin hequr të gjitha kolonat dhe ishte bërë biznes. Kjo ka ndodhur edhe në godina të tjera, që janë objekt hetimi. Në fokusin e grupit hetimor kanë qenë edhe godinat shtetërore, si shkolla e godina të tjera, ku janë gjetur përgjegjësi direkte të personave të arrestuar. Edhe ndërtuesit nuk kanë zbatuar kriteret e lejes së ndërtimit. Është një punë voluminoze, që kërkon hetim.
Hetimi është shtrirë edhe në Fresk, Selitë, ku ka dëmtime, dhe është duke u parë për përgjegjësit e zyrtarëve, por edhe qytetarëve.

Si është zhvilluar ky operacion?
Ishte i pritshëm arrestimi i personave, nuk diheshin emrat, por dihej që do përfundonin në pranga zyrtarë e ish-zyrtarë. Mbetet për t’u parë sa larg do shkojë prokuroria në grumbullimin e provave për t’i mbajtur ata pas hekurave. Pritet të vijnë ekspertë të huaj, mendohet nga Italia, për të asistuar në këtë hetim, pasi asnjëherë Shqipëria nuk ka pasur një lloj të tillë hetimi. Ishte një operacion që nisi në orët e para të ditës së djeshme dhe përfundoi vonë mbrëmë. Policia ka qenë e angazhuar t’i dërgonte pas hekurave menjëherë. Mbrëmë kishte mjaft familjarë e avokatë pas hekurave. Është hetim i një natyre të veçantë, do dojë shumë kohë. Numri i ndërtesave të dëmtuara nga tërmeti është shumë i madh, ka një shtrirje të madhe hetimi, që po zhvillohet njëherazi nga disa prokurori.

Disa nga shkeljet…
Në disa objekte nuk gjendet gjurmim sizmik, mungojnë aktet e kolaudimit të objekteve, s’ka akte të shkruara nga inxhinieri, etj. Janë një sërë shkeljes që kanë nxjerrë në pah problematikat e mëdha që ka Shqipëria. Priten arrestime edhe nga Prokuroria e Krujës dhe Lezhës. Deri tani janë firmosur urdhër-arreste vetëm për ato godina që janë shkatërruar. Ndërkohë, pritet një etapë e dytë për godinat e dëmtuara më lehtë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb