Inxhinieri Romeo Nazarko, i ftuar në rubrikën Opinion në News24, duke folur për arrestimin e drejtorit të ARRSH-së Evis Berberi, deklaroi se beson se edhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku duhet të mbajë përgjegjësi për rastin. Nazarko shtoi se edhe anëtarët e Bordit kanë përgjegjësinë e tyre në këtë rast.

“Arrestimet vijnë si rezultat i moszbatimit të ligjeve nga këta zyrtarë, por lidhjet mund të shkojnë edhe më tej se Berberi. Të gjithë drejtorët e ARRSH po bien në pranga. Drejtori ka një pjesë të përgjegjësisë, por përgjegjësi kanë dhe zyrtarë të tjerë. Përgjegjësi kanë edhe anëtarët e bordit. Bordi ka qenë në dijeni të pabarazive në tendera të Belerit. Ne na lind dyshimi se Berberi mund t’i ketë dhënë tendera edhe anëtarëve të Bordit.

Korrupsioni bën që të shemben rrugët. Është përgjegjësi e Ministrisë që të bëjë urdhrin e inxhinierit, ende nuk kemi ligjin e urdhrit të inxhinierit. Edhe ministrja Balluku duhet të mbajë përgjegjësi ligjore. Nuk ka ndodhur në 100 vjet shtet që të bjerë një urë pa u inauguruar. Besoj se kemi të bëjmë me gabim sistematik. Një gabim që ka bërë Ergys Verdho, drejtori aktual e ka bërë më keq. Rruga Korçë- Ersekë është një udhë me qëndrueshmëri të dobët, nuk janë bërë studimet e duhura. Nuk e kanë pasur hallin të bëjnë rrugën, por hallin e kanë tek vlera”, u shpreh Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb