Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla ka reaguar për arrestimin e gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha ditën e sotme nga SPAK.

Balla thotë se rasti i gjyqtares s’është ndër shembujt e parë teksa institucionet e reja të drejtësisë po i japin përgjigje skeptikëve apo mosbesuesve, me rezultate konkrete.

Nga ana tjetër Balla siguron se Vetting-u nuk ndalet, dhe se Basha me Kryemadhin të ndalojnë takimet e fshehta me ish-gjyqtare e ish-prokurorë.

STATUSI NGA TAULANT BALLA
Kush ankohet apo s’ka ende besim tek institucionet e reja të Drejtësisë, çdo ditë po merr përgjigje.
Institucionet e reja të drejtësisë po funksionojnë dhe po e tregojnë këtë ditë pas dite me rezultate konkrete. Hetimet pro-aktive dhe arrestimet e kryera nga SPAK-u dhe procedimet e kryera nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, si për gjyqtarin e Korcës, për gjyqtaren e arrestuar sot dhe për të tjerë në proces, janë vetëm shembujt e parë të përkushtimit për të kryer detyrën, por edhe inkurajim për punë të tjera në vijim, si një proces i rëndësishëm për rikthimin e besimit të publikut tek drejtësia.
Zbatimi me përpikmëri i reformës në drejtësi dhe vetingut, po mundëson një drejtësi të re e të pavarur, e cila nuk do të dijë as se kush je apo çfarë pozicioni politik ke.
Meqenëse fola për vetting-un, dua t’i them Lulit dhe Monikës mjaft takoheni skutave me ish-gjyqtarë e ish-prokurorë. Nuk ka asnjë shans që ky proces të kthehet mbrapsht.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb