Gjykata e Lartë e Pakistanit ka urdhëruar lirimin e ish-kryeministrit Imran Khan, arrestimi i të cilit në fillim të kësaj jave shkaktoi një valë dhune në të gjithë vendin nga mbështetësit e tij.
Dhuna po vlerësohet si e pashembullt megjithëse grushtet ushtarake të shtetit dhe krizat politike nuk janë të pazakonta në Pakistan.
Përleshjet me policinë shpërthyen fillimisht pas arrestimit dramatik të zotit Khan të martën, kur ai u paraqit në një gjykatë në Islamabad për t’u përballur me akuzat për korrupsion.
Të paktën 10 persona janë vrarë nga dhuna dhe dhjetëra janë plagosur. Po ashtu u plagosën më shumë se 200 oficerë policie. Gjykatësi i çështjes, Umar Ata Bandial urdhëroi lirimin e zotit Khan dhe i kërkoi ish-kryeministrit që t’u bëjë thirrje mbështetësve të tij të ruajnë qetësinë.
Qeveria kishte paralajmëruar se lirimi i tij do të inkurajonte dhunën.
Pas disa ditë përleshjesh mes protestuesve dhe policisë, dhe sulmeve të turmës në objektet ushtarake dhe qeveritare, qeveria ka goditur mbështetësit e ish-kryeministrit Khan, duke arrestuar më shumë se 2,000 veta në bastisjet e kryera në mbarë vendin.
Megjithëse zoti Khan u lirua nga paraburgimi, ai do të jetë nën mbrojtjen e forcave të sigurisë në një vend të sigurt në kryeqytet, Islamabad, u tha gazetarëve kreu i ekipit të tij ligjor, Babar Awan. Ai do të paraqitet para Gjykatës së Lartë të Islamabadit të premten, tha zoti Awan.
Dhuna e paprecedentë ishte e ngjashme me trazirat që pasuan vrasjen e ish-kryeministres Benazir Bhutto në vitin 2007 gjatë një mitingu zgjedhor në qytetin Rawalpindi. Mbështetësit e saj në atë kohë, të indinjuar nga vrasja e saj, reaguan duke krijuar dhunë për ditë të tëra në të gjithë Pakistanin.
Imran Khan, i cili u hoq nga detyra një vit më parë gjatë një votimi mosbesimi në Parlament, përballet me akuza të shumta korrupsioni në gjykatat pakistaneze. Por arrestimi i tij ishte një veprim befasues dhe dramatik.
Ai ishte në gjykatë të martën duke përballur me një grup akuzash, kur agjentët kundër korrupsionit hynë brenda, e tërhoqën zvarrë dhe e futën në një automjet të blinduar në lidhje me një grup tjetër akuzash.
Protestuesit dogjën kamionë, makina dhe automjete policie në rrugë dhe bllokuan autostradat. Një turmë i vuri zjarrin të martën rezidencës së një komandanti të lartë të ushtrisë në Lahore, qyteti i dytë më i madh i Pakistanit. Demonstruesit dogjën një stacion hekurudhor në periferi të kryeqytetit, Islamabad, të mërkurën mbrëma.
Policia ngriti akuza të reja për terrorizëm të enjten kundër zotit Khan dhe udhëheqësve të lartë nga partia e tij “Tehreek-e-Insaf” në Pakistan, me akuza për nxitje të turmave në dhunë.
Në një fjalim drejtuar kombit të mërkurën në mbrëmje, kryeministri Shahbaz Sharif i cili mori detyrën pasi zoti Khan u shkarkua në prill të vitit të kaluar tha se ish kryeministri u arrestua për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion dhe se kishte prova që mbështesin këto akuza.
Ai tha se trazirat kishin “dëmtuar pronën publike dhe private”, duke e detyruar atë të nxirrte ushtrinë në Islamabad dhe në rajonet e paqëndrueshme të veriperëndimit.
Pas shpërthimit të dhunës, qeveria mbylli shkollat, kolegjet dhe universitetet në Punjab dhe provincat veriperëndimore Khyber Pakhtunkhwa, ku zoti Khan ka mbështetje të madhe dhe ku u raportua pjesa me e madhe e dhunës. Të paktën shtatë nga vdekjet e protestuesve deri më tani janë raportuar në Khyber Pakhtunkhwa dhe dy në kryeqytetin e Punjabit, Lahore, dhe një në qytetin jugperëndimor të Quettas. Qeveria pezulloi gjithashtu shërbimin e internetit në pjesë të ndryshme të vendit.
Zyrtarët thonë se mbështetësit e ish-kryeministrit vunë në shënjestër në veçanti zonat ushtarake sepse ai ka fajësuar ushtrinë për rrëzimin e tij nga pushteti në vitin 2022, ndërsa pretendon gjithashtu se ky ishte një komplot nga Uashingtoni dhe qeveria e Sharifit akuza që Shtetet e Bashkuara dhe pasardhësi i zotit Khan i kanë mohuar. Ushtria ka thënë gjithashtu se nuk ka luajtur asnjë rol në rrëzimin e zotit Khan.
Mes dhunës, mbështetësit e zotit Khan kanë sulmuar selinë ushtarake në Rawalpindi dhe postet e sigurisë në veriperëndim. Në Lahore të martën në mbrëmje, demonstruesit plaçkitën dhe dogjën rezidencën e komandantit rajonal, gjeneral lejtnant Salman Fayyaz Ghani.
Ushtria ka qeverisur drejtpërdrejt Pakistanin për më shumë se gjysmën e 75 viteve që kur vendi fitoi pavarësinë nga sundimi kolonial britanik dhe zotëron fuqi të konsiderueshme mbi qeveritë civile./VOA