Masa e arrestit “detyrim paraqitje” e dhënë disa ditë më parë nga Gjykata e Beratit për dy drejtuesit e bashkisë Berat, Poli Ikonomi dhe Llazar Hoxholli, të cilët u arrestuan për vdekjen e 5-vjeçarit në zbukurimet e parkut të qytetit, ka irrituar mjaft prokurorin e çështjes.

Pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Berat në lidhje me masën e sigurisë, ka qenë i fuqishëm reagimi i Institucionit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat. Prokurori i çështjes Olgert Rumniçi, ka apeluar një ditë më pas “masën e sigurisë”, të dhënë nga gjyqtari Durim Hasa, njëkohësisht kryetar i Gjykatës së Beratit. Sipas Prokurorit Rumniçi, gjykata nuk ka marrë parasysh asnjë provë hetimore të siguruar nga prokuroria në lidhje me këtë ngjarje tragjike. Në rekursin e prokurorit Olgert Rumniçi, thuhet se provat e siguruara nga Prokuroria ishin të mjaftueshme për të vlerësuar “të ligjshëm” arrestimin e dy drejtuesve të bashkisë së Beratit dhe për t’i lënë ata në burg, nën masën e sigurisë “arrest në burg” pa afat.

Por, me gjithë provat e siguruara nga organi i akuzës për Ikonomin dhe Hoxhollin, gjyqtari Durim Hasa jo vetëm që nuk i mori parasysh por i la ata të lirë duke u dhënë masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Poli Ikonomi dhe Llazar Hoxholli u akuzuan për “shpërdorim detyre”, bazuar në Nenin 248 të Kodit të Procedurës Penale, ndërkohë që edhe 4 elektricistë të bashkisë po procedohen në gjendje të lirë për të njëjtën vepër penale.

Ngjarja e rëndë ndodhi në 22 maj në parkun e qytetit të Beratit, ku një 5-vjeçar nga komuniteti rom gjeti vdekjen duke luajtur në tunelin me drita, pjesë e dekorit të bashkisë për festat e fundvitit. Në lidhje me ngjarjen tragjike edhe familjarët e fëmijës akuzuar bashkinë për vdekjen e tij.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb