Karabinierët në Foggia kanë arrestuar dy persona, mes tyre një shtetas shqiptar, të dyshuar si autorë të të shtënave me armë që tronditën periferinë e qytetit mbrëmjen e 10 majit. Sipas autoriteteve italiane, në pranga ranë një 37-vjeçar shqiptar dhe një bashkëmoshatar italian nga Foggia, të cilët akuzohen për tentativë vrasjeje dhe posedim të armëve të paligjshme.
Ngjarja ndodhi pranë parkingut të Penny Market në zonën Via San Severo, ku një patrullë karabinierësh ndërhyri pas raportimeve se një shtetas i huaj po kërcënohej me vdekje nga një person i njohur për të.
Sapo mbërritën në vendngjarje, efektivët dëgjuan disa të shtëna me armë që vinin nga parku në rrugën Ugo Iarussi. Në të njëjtën kohë, dhjetëra persona, mes tyre gra dhe fëmijë, u panë duke u larguar me vrap për t’i shpëtuar rrezikut. Karabinierët identifikuan dhe arrestuan menjëherë dy të dyshuarit, të cilët rezultojnë me precedentë të shumtë penalë. Shtetasi shqiptar u kap rreth 40 metra larg vendit të ngjarjes, ndërsa italiani u arrestua pak më vonë falë edhe informacioneve të dhëna nga kalimtarët.
Gjatë ndërhyrjes, policia konstatoi se një burrë dhe një grua kishin mbetur të plagosur nga plumbat, respektivisht në këmbën e djathtë dhe të majtë. Të dy u transportuan në spitalin lokal, ku morën ndihmë mjekësore.
Nga hetimet paraprake rezulton se dy të arrestuarit kishin hyrë në parking të armatosur me pistoleta dhe, pas një sherri ku u përfshinë disa persona, hapën zjarr disa herë, duke plagosur dy kalimtarë. Gjatë kontrolleve, karabinierët sekuestruan dy pistoleta me numra serialë të fshirë, të cilat dyshohet se janë përdorur në sulm. Më 14 maj, Gjykata e Hetimeve Paraprake konfirmoi arrestimin e dy personave dhe vendosi masën e paraburgimit ndaj tyre, ndërsa Prokuroria vijon hetimet për zbardhjen e plotë të motiveve të sulmit të armatosur.
