Policia Kombëtare e Spanjës ka shkatërruar një celulë të krimit të organizuar serb që vepronte në Costa del Sol, Campo de Gibraltar dhe rajonin e Levantes, ndërsa gjatë operacionit është zbuluar edhe një “dhomë torture” në një vilë luksoze në Estepona. Brenda objektit, policia shpëtoi dy burra që dyshohet se ishin rrëmbyer dhe torturuar.
Ngjarja ndodhi në orët e para të 5 shtatorit, rreth orës 01:05, pas një telefonate në numrin 091 nga e dashura e njërit prej personave të rrëmbyer. Ajo i tha policisë se partneri i saj kishte shkuar në një adresë në Nueva Atalaya 65 për një “punë të dyshimtë” dhe i kishte kërkuar që të telefononte policinë nëse nuk do ta kontaktonte brenda dhjetë minutash.
Kur efektivët mbërritën në vilë, dy burra të maskuar u larguan me vrap nga objekti. Pas tyre, nga dera e kuzhinës doli një burrë i rrahur dhe i gjakosur, i cili kërkoi ndihmë dhe u tha policëve se ishte rrëmbyer dhe se autorët donin ta vrisnin.
Njëri prej të dyshuarve, Marko N., tentoi të arratisej duke kapërcyer murin e oborrit, ndërsa mbante një objekt që ngjante me armë zjarri. Më pas u arrestua edhe Filip J., ndërsa në operacion u ndaluan gjithashtu Zoran N. dhe Leon Y. Gjatë bastisjes, policia gjeti pushkë automatike AK-47, të cilat dyshohet se përdoreshin për sigurinë e bazës së grupit.
Hetuesit zbuluan në një nga dhomat e vilës një hapësirë të përgatitur për tortura. Muret ishin të mbuluara me mbështjellës plastik, ndërsa brenda saj u gjetën një karrige, lidhëse plastike, çekiç, pincë, shirit ngjitës, një pistoletë me silenciator dhe armë të tjera. Ekspertët balistikë po analizojnë armët për të përcaktuar nëse janë përdorur në përleshje të armatosura apo ngjarje të tjera kriminale në zonën e Marbella-s.
Sipas burimeve të hetimit, dy viktimat, Miguel Angel dhe Hamza, kishin gjithashtu të kaluar kriminale. Policia dyshon se ata ishin pjesë e të njëjtit grup dhe se ishin torturuar si hakmarrje pas dështimit në një detyrë të mëparshme, e cila mund të ketë lidhje me humbjen e një ngarkese droge ose një borxh.
Në total, autoritetet spanjolle kanë arrestuar shtatë shtetas serbë. Sipas policisë, asnjëri prej tyre nuk kishte vendbanim të regjistruar në Spanjë. Gjatë operacionit dhe ndjekjes u plagosën edhe tre efektivë policie. Të arrestuarit janë dërguar në burgun e Alhaurín de la Torre, ndërsa hetimet për aktivitetin e grupit dhe përdorimin e armëve vijojnë.
