Autoritetet ligjzbatuese të Kosovës e kanë arrestuar të dielën edhe një të dyshuar për krime lufte në Zubin Potok, në veri të vendit, ku ekipe të forenzikës janë duke kryer gërmime prej ditësh për një varr të dyshuar masiv, pas gjetjes së mbetjeve njerëzore që dyshohet se u përkasin njerëzve të zhdukur nga lufta e viteve 1998-’99.

Në një njoftim për media të dielën, Policia e Kosovës tha se pas urdhrit nga prokurorët e ka arrestuar një të dyshuar me inicialet J.R.

“Ai dyshohet se ka kryer veprën penale krime lufte kundër popullsisë civile”, thuhet në njoftim.

Policia nuk dha më shumë hollësi rreth të dyshuarit, por shtoi se ai u kap pas një pune intensive hetimore në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës.

Ky është personi i tretë i arrestuar lidhur me rastin e Zubin Potokut, pasi dy burra të tjerë po mbahen tashmë në paraburgim, po ashtu, nën dyshimin për krime lufte. Gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut nisën në fillim të javës, pas një hetimi rreth dyvjeçar dhe arrestimit të dy të dyshuarve të parë.

Policia tha më vonë se ka gjetur dëshmi se njëri nga të arrestuarit në Zubin Potok ishte pjesë aktive e armatës jugosllave.

Autoritetet konfirmuan ditë më parë se mbetjet e gjetura në Kalludër të Vogël janë me origjinë njerëzore.

Ndërkohë, të shtunën, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se gërmimet mund të zgjasin me muaj, për shkak të shpërndarjes së mbetjeve njerëzore dhe terrenit të vështirë.

Duke folur për media gjatë vizitës së tij në vendin e gërmimeve, Kurti tha se Serbia duhet të kushtëzohet nga bashkësia ndërkombëtare për hapjen e arkivave, gjë që do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të rreth 1.600 njerëzve ende të zhdukur.

Serbia deri tani nuk ka lejuar qasje të plotë në dokumentet e institucioneve që kanë vepruar gjatë luftës në Kosovë, pavarësisht zotimeve për bashkëpunim dhe shkëmbim të dhënash.

Autoritetet kanë thënë se është herët të flitet për identifikimin e viktimave të mundshme, duke bërë thirrje për ruajtjen e integritetit të hetimeve.

Por, Kurti e përsëriti të shtunën se mbetjet e dyshuara njerëzore në këtë fshat mund t’iu përkasin një grupi prej 23 shqiptarëve të zhdukur në atë pjesë të vendit në vitin 1999.

“Duhet t’i presim analizat e ADN-së, por me shumë gjasa bëhet fjalë për shqiptarët të njohur si grupi i intelektualëve, 23 sosh, të cilët më 19 prill, para 27 vjetëve, u ndaluan, u rrëmbyen dhe u pushkatuan nga forcat armike të Serbisë”, tha Kurti.

Kohët e fundit autoritetet kanë kryer vazhdimisht gërmime në lokacione të ndryshme, ku janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Instituti i Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë ka dokumentuar 12.230 viktima të luftës së viteve 1998-’99. Sipas tij, 1.577 njerëz, shumica shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur nga ajo luftë.

Më herët gjatë vitit, Kosova ngriti aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të mbi 800.000 civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë asaj lufte./REL/

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: