PËRMET

Ish-kryeministri Sali Berisha ka qenë sot me “Foltoren” e tij në Përmet. Berisha bëri thirrje për bashkim të demokratëve dhe për një mision për t’u përballur me qeverinë dhe për të shpëtuar Shqipërinë.

Ai përmendi disa hapa për të përmbushur këtë mision.

“Është një kënaqësi e veçantë e jashtëzakonshme për mua të gjendem në Përmet, midis miqve të mi të shkëlqyer. Të gjendem në këtë qytet i cili ka një traditë, më të mirën, në mendimin politik shqiptar, në shpirtin e njerëzve të tij punëtorë. Është kënaqësi e veçantë që unë vij sot në Përmet dhe ju gjej ju të bashkuar, demokrate dhe demokratë, u gjej ju në mençurinë tuaj, ju lexuat me seriozitetin më të madh mesazhin e 6 marsit, mesazh i të cilit ishte bashkimi, bashkimi dhe vetëm bashkimi për një opozitë të vërtetë shqiptare, për një PD opozitë e vërtetë shqiptare. E gjithë përpjekja jonë sot është një PD e bashkuar, e fortë dhe e hapur, ndaj dhe unë ftoj këtu të gjithë demokratët e Përmetit nga dhjetori ’90 gjer sot, të bashkojmë kontributet tona, të bashkojmë idealet tona dhe të ngrihemi si opozita më e fuqishme e kohës. Të ngrihemi si PD në misionin e madh opozitar për të shpëtuar Shqipërinë nga një regjim i bazuar në krimin, vjedhjen e qytetarëve, varfërimin e tyre, largimin e shqiptarëve nga Shqipëria. Nuk ka mision më të madh se sa ky mision dhe ky mision përmbushet para të gjithash duke u bashkuar, duke bashkuar çdo kontribut. Ky mision përmbushet para së gjithash duke qëndruar të pamposhtur si opozitë e vërtetë. Përmbushet duke hapur PD-në drejt prurjeve të reja dhe në këtë mënyrë ne do mbjellim shpresën e cila është jetike për shqiptarët sot. Do mbjellim besimin tek qytetarët shqiptarë, demokrate dhe demokratë. Ne i arrijmë qëllimet tona, në qoftë se njohim përgjegjësitë tona. E konsideroj të domosdoshme të flas me ju haptas, arrijmë qëllimet tona duke njohur gabimet tona. Unë i pari kam kërkuar ndjesë dhe i kam njohur ato në mënyrë të përsëritur”, deklaroi Berisha.

Duke folur për korrupsionin, ai tha më tej se duhet të ulemi me çdo njeri dhe t’u tregojmë se është vjedhje.

“Do ndalem këtu vetëm në një aspekt tjetër. Shpesh dëgjon demokratë të shprehen se këta njerëz nuk marrin vesh, se çfarë do t’u bësh, ndjekin punën e tyre. Këtë duhet ta harrojmë ne, këta njerëz marrin vesh nëse ne dimë t’u prekim kordat e besimit të tyre.

Do marr vetëm një shembull që nuk është sekret, por është një fatkeqësi e tmerrshme. Bëhen sondazhet dhe sondazhet tregojnë se ai fenomen negativ për çka rrëzohen qeveritë njëra pas tjetrës, këtu nuk e ka atë ndikim në psikologjinë e njerëzve dhe ky është korrupsioni. Kjo gjë gjatë fushatave nuk trajtohet sepse sondazhet atë tregojnë. Nuk jemi në fushatë, por në qoftë se kjo nuk bën përshtypjen që duhet të bëjë, atëherë përgjegjësia është e jona. Duhet të ulemi me çdo njeri dhe t’u tregojmë se është vjedhje. Çdo qytetar ka dy buxhete, ka rrogën që merr dhe ato taksat që i merr qeveria. Si i përdor ato do jetë dhe zhvillimi i vendit. merrni dy periudhat, 2005-2013, u arrit të dyfishohen rrogat dhe pensionet, me ato paratë që paguani ju, nuk prodhon qeveria para. u ndërtuan 11 mijë km rrugë, me ato para që paguani ju. U ndërtua Shqipëria dixhitale, me se u arrit, me ato fonde. U anëtarësua Shqipëria në NATO, si u arrit duke luftuar krimin dhe korrupsionin. U ec drejt BE-së duke luftuar krimin dhe korrupsionin. këto 9 vite prapaktheu ose në vend numëro. Sot shqiptarët nga në kryer të vendeve të rajonit janë në fund dhe 20-30% më ulët se Kosova”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb