Sekretari i PD, Roland Bejko, reagon sërish pasi u dhunua nga mbështetësit e Sali Berishës para selisë blu.

Në një postim në “facebook”, Bejko sqaron deklaratën e bërë menjëherë pas dhunimit për mikrofonin e “News24”, ku tha se “miku im Artan Fuga ka mbështetur Sali Berishën”.

Bejko thekson se e ka bërë pa dashje këtë deklaratë, ndaj dhe i kërkon ndjesë publike profesorit Fuga.

Postimi i Bejkos:

Të dashur miq,
Në prononcimin tim sot për televizionin News 24, menjëherë sapo dola nga thonjtë e turmës të frymëzuar nga Sali Berisha ndaj të gjithë atyre, që janë kundër rikthimit të tij në krye të Partisë Demokratike, i ngarkuar emocionalisht për shkak të dhunës që u ushtrua ndaj meje, kam bërë një gabim pa dashje në shprehje, kur kam thënë që miku im Artan Fuga ka mbështetur Sali Berishën…
I kërkoj ndjesë publike profesorit dhe mikut tim Artan Fuga për këtë konotacion duke e vendosur atë gabim përkrah Berishës, në një çast kur para kemerës kam qenë i tronditur dhe i ngarkuar emocionalisht.
Kam dashur të thoja në fakt, tjetër gjë…
Profesor Artan Fuga me shkrimet dhe qëndrimet e tij, nuk ka asnjë lidhje me atë çfarë bën Sali Berisha. Përkundrazi, ai ka qenë qartësisht në favor të një partie demokratike të hapur, meritokratike, të bashkuar në diversitet, me fraksione, moderne, perëndimore dhe duke e parë atë si një aset të rëndësishëm për demokracinë Shqiptare.
Edhe një herë i shpreh ndjesën time publike mikut tim, akademikut Artan Fuga duke e tërhequr mbrapsht atë që kam shprehur, me shpresën se do gjej mirëkuptimin e tij për situatën dhe kontekstin në të cilën u gjenda në ato çaste të vështira.
Sot ishte një ditë ku ka dominuar emotiviteti dhe iracionaliteti, por në asnjë rast ne nuk na falet të gabojmë. Ne duhet ta kemi më të lartë sensin e vetkontrollit dhe të qartësisë.
Për interesa meskine, ne sot nuk kemi luksin të humbasim njëri tjetrin, miqtë, bashkëpunëtorët, dhe bashkëqytetarët tanë.
Çdo fjalë e thënë gabim, dhe çdo veprim i nxituar do na krijojë një kosto të pariparueshme për të ardhmen.
Krahas ndjesës publike, gjej rastin të shpreh sot mirënjohjen e pakufijshme ndaj mikut tim dhe profesorit Artan Fuga, për gjithë mbështetjen e tij të pakufijshme publike që më ka dhënë në rrugëtimin tim profesional, publik por edhe politik.
Ndjesë Profesor!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb