Man.City dhe Arsenal vijojnë betejën në distancë për titullin kampion. 3 jave përpara fundit, Premier League është tashmë një garë dyshe mes këtyre dy ekipeve, në një kohë kur Liverpool u ndal sërish, këtë herë në një barazim 2-2 përballë West Ham. Fundi i Jurgen Klopp në krye të ekipit të kuq po bëhet i hidhur pasi kundër tij doli në mënyrë demonstrative edhe Momo Salah.

Arsenal përfitoi nga blofi i “The Reds”, duke triumfuar në derbi përballë Tottenham. Ekipi i Arteta-s ishte i papërmbajtshëm në pjesën e parë duke shënuar tre gola. Hojbjerg ishte i pafat në minutën e 15-të duke devijuar topin në portë e tij. Në të 27-tën ishte Saka që konvertoi me gol një kundërsulm të shpejtë të “topçinjve” i ideuar nga Havertz me një super assist. Ylli gjerman ishte protagonist kryesor pasi në minutën e 38-të, me kokë në shtyllën e parë dërgoi topin në rrjetë. “Gjelat” u zgjuan në pjesën e dytë, fillimisht ngushtuan shifrat me Romero-n në minutën e 64-ët, ndërsa Son në të 84-tën realizoi edhe golin e dytë, por vetëm kaq, pa mundur t’i prishin festën Arsenal.

Mikel Arteta pranoi se në fund po lutej që të mbaronte ndeshja, ndërsa u shpreh i bindur se ekipi i tij do të luftojë deri në fund për titullin kampion: “Jam i sigurt 100% për këtë, djemtë do të luftojnë deri në fund. Ata besojnë ndeshje pas ndeshje, minutë pas minute, janë të motivuar. Ne do ta provojmë deri në fund”, theksoi Arteta.

Një fitore të pastër 2-0 në transfertë siguroi Man.City. Në letër duket si një fitore e lehtë, por nuk ishte kështu, të besuarit e Guardiola-s kishin dhe shumë fat në disa episode. Gvardiol me një goditje me kokë, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, kaloi Man.City në avantazh. Në pjesën e dytë, në minutën e 62-të, Guardiola hodhi në fushë Haaland. Biondit norvegjez i mjaftuan pak minuta për të realizuar golin e dytë për Man.City. Pas këtij suksesi, City ndjek Arsenal me një pikë larg, por “qytetarët” kanë një ndeshje me shumë në dispozicion. Në përfundim të sfidës, Guardiola u ndal te gara për titull:

“Preferojmë që Arsenal të humbas, por ne nuk mund të kontrollojmë se çfarë bëjnë ata. Mungojnë edhe 4 ndeshje, ne nuk e kemi luksin të lëmë pikë. Ne e dimë shumë mirë se çfarë duhet të bëjmë, por ndaj Nottingham rrezikuam jo pak”, u shpreh Guardiola.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb