Drejtori i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani ka postuar një foto me aktorët e mëdhenj Reshat Arbana dhe Zhani Ziçishti, të njohur për rolet e tyre në filmat e kohës së komunizmit, kryesisht “Fije që priten” ku Arbana luante rolin Sami Amenit, një ish-oficer i gestapos, i arratisur para vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri, ndërsa Zhani Ziçishti luan rolin e përkthyesit.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Postimi i plotë:

AKTORË TË MËDHENJ QË TALENTIN E TYRE BRILANT E SHFAQËN NË RRETHANAT E NJË LIRIE TË KUFIZUAR….!

Sot, këtë fundjavë, kafen e mëngjesit e konsumova mes një bisedë mjaft të këndshme dhe interesante me dy nga Miqtë e mi më të mirë, të dy Artistë elitarë, mjeshtra në lojën aktoriale të ekranit dhe të Kinematografisë Shqiptare:
RESHAT ARBANA
Artist i Popullit dhe Nder i Kombit,
ZHANI ZIÇISHTI,
Mjeshtër i Madh.

Të dy artistët janë bashkëmoshatarë 83 vjeçarë. Të dy kanë qënë bashkëstudent në një kurs, në Institutin e Lartë të Arteve për aktrim, dega Arti Dramatik….

Ata kanë realizuar bashkë ose veçmas role dhe karaktere shumë domethënëse, mjaft të spikatura e mbresëlënëse, të cilat kanë mbetur të gjalla në kujtesën shikuesit shqiptar.

46 vjet më parë, (në vitin 1976), ata do ti bashkonte si partnerë në një shesh xhirim Filmi mjaft i njohur Artistik Shqiptar “Fije që priten”.

Reshat Arbana, në këtë film është protagonisti kryesor, në rolin e Sami Amenit, një ish oficer i gestapos kuislinge, i arratisur shqiptar para vendosjes së rregjimit komunist në Shqipëri, i cili, disa vite më vonë kthehet i maskuar si turist i huaj, i infiltruar si agjent për sabotimin e këtij regjimi.

Ndërsa Zhani Ziçishti, (personazhi me emrin Genci), në këtë film, ishte në rolin e tij si përkthyes i Sami Amenit…

Ndërsa 34 vjet më parë, (në vitin 1988), ata do të ishin sërish partnerë në filmin televiziv me dy pjesë, “Rikonstruksioni”.

Reshati në këtë film do të ishte në rolin e një kryeinxhinieri megalloman, burokrat e mediokër i një porti detar, një kantier nga më të rëndësishëm në vendin tonë.

Shpesh, me arrogancën dhe paaftësinë e tij pengonte novatorizmin, të rejat e shkencës dhe përparimin e të rijnve që bënin shpikje të reja, të cilat synonin modernizimin dhe rritjen e efektivitetit ekonomik në këtë kantier…

Ndërsa Zhani, në këtë film është në rolin e Shefit ekonomist të këtij kantieri, (një vartës frikacak, i paguximshëm dhe pa kurajo, që shantazhohet dhe trysnohet prej kryeinxhinierit burokrat.

Ky i fundit, shfrytëzon ndonjë dobësi dhe të metë të vartësit të tij, duke e detyruar që të paraqesë një bilanc shifrash fiktive për të mbuluar dështimet në realizimin e planit 6 mujor…. etj.

Këta janë Aktorët tanë, që në kushtet e një Shqipërie të izoluar dhe të indoktrinuar, (ku shumë gjëra kufizoheshin për shkak të propagandës së kohës), por që gjithsesi, me dashurinë për punën dhe profesionin e tyre mundën që me aq pasion dhe talent të bënin artin e bukur të lojës aktoriale, që të magjepste dhe të mbante mbërthyer në ekranin e televizorit të shtëpisë dhe në ekranin gjigand të kinemasë….

A mund të konsiderohen këta artistë të mëdhenj një brez i “humbur”, që talentin e tyre brilant e shfaqën në rrethana të kufizuara të një Shqipërie të izoluar …!?

Nderim për ta…!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb