TIRANE- Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka pritur sot në një takim ish-ambasadorin e SHBA në vendin tonë Aleksander Arvizu, në detyrën e Zv.Ndihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit për Çështjet e Sundimit të Ligjit dhe Trafikut Ndërkombëtar Narkotik. Në këtë takim, ku i pranishëm ishte edhe kreu aktual i delegacionit të SHBA, Donald Lu, u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi, mbi bashkëpunimin në drejtim të sundimit të ligjit dhe për luftën kundër trafiqeve të drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i uroi mirëseardhjen Ambasadorit Arvizu në Tiranë dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e pakursyer amerikane në drejtim të sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke veçuar këtu mbështetjen në realizimin e reformës në drejtësi përmes misionit OPDAT, puna e të cilit vlerësohet si kyçe përgjatë gjithë etapave të reformës.

Në këtë kuadër u shpreh mirënjohja edhe për misionet e tjerë amerikanë në Shqipëri si ICITAP, i cili kontribuon përmes programeve trajnuese të hetimeve kriminale duke forcuar kapacitetet shqiptare në fushën e korrupsionit, krimit transnacional dhe terrorizmit.

Zv. Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Çështjet e Trafikut Ndërkombëtar Narkotik dhe Sundimit të Ligjit, Alexander Arvizu vlerësoi miratimin me konsensus të ndryshimeve kushtetuese për reformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe në veçanti shprehu mirënjohjen e SHBA për rolin lehtësues që Kryetari i Kuvendit Meta luajti në fazat përmbyllëse të votimit në parlament të kësaj reforme.

Në këtë drejtim u nda bindja e përbashkët se duhet punuar gjithnjë për formula që i shërbejnë bashkëpunimit politik mes palëve në interes të përshpejtimit të kësaj reforme madhore të rëndësishme për Shqipërinë.

Meta theksoi se reforma në drejtësi duhet të shoqërohet me dekriminalizimin e plotë të politikës dhe institucioneve shqiptare, me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të besueshëm politik dhe institucional për zbatimin me efikasitet të reformimit të tërë sistemit të drejtësisë.

Në përfundim, Kryetari Meta dhe Ambasadori Arvizu diskutuan edhe mbi forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe SHBA në luftën kundër kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, kundër krimit të organizuar dhe kundër të gjithë elementëve të tjerë kriminalë që shkojnë ndesh me axhendën euro-atlantike të Shqipërisë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb