VLORË- Aleanca për Shqipërinë Europiane ka mbajtur sot në Vlorë mitingun përmbyllës të fushatës elektorale që ka filluar më shumë se një muaj më parë. Kryeministri Rama i pranishëm në këtë aktivitet shprehu mirënjohjen për qytetarët dhe pritjen entuziaste ndërsa deklaroi se edhe pak ditë dhe historia e Vlorës do të ndryshojë.

“Mirënjohje për këtë mikpritje kaq entuziaste dhe për këtë mbështetje të merituar që ju sonte i jepni njeriut të duhur që ka ardhur në kohën e duhur, në vendin e duhur për ta çuar Vlorën në drejtimin e duhur, Dritan Lelit. Mezi po pres dhe pak ditë kanë mbetur që këtu në Vlorë, historia të ndryshojë. Dhe pak ditë kanë ngelur që qytetarët e Vlorës të rimarrin pushtetin. Mezi po pres që këtu në Vlorë unë të kem, në zyrën e kryetarit të Bashkisë të dikë që ditë-natë të punojë për Vlorën. Që të bëjë për Vlorën atë që nuk është bërë në 24 vite, sepse Vlora nuk e ka humbur kurrë drejtimin. Më 23 qershor 2013 iu i vutë vulën hapjes së një kapitulli të ri”, deklaroi kryeministri Rama.

Kreu i PS-së tha se në 18 muaj, kjo maxhorancë ka punuar për u kthyer qeverinë shqiptarë. Ai pranoi që ka ende shumë për tu bërë dhe se plagët e shqiptarëve nuk janë mbyllur ende, por në 18 muaj sipas tij janë dhënë prova që kjo qeveri mund ta bëjë shtetin që meritojnë shqiptarët. “Jam këtu për t’iu thënë të gjithëve shumë vëllazërisht: Mos kujtoni se nuk e di, dhe se nuk e ndiej se sa larg jemi akoma nga administrata që ju e meritoni, mos kujtoni se nuk e vuaj çdo vuajtje tuajën në dyert e administratës që nuk është në nivelin e duhur për ti shërbyer qytetarëve. Ditë e natë mendoj se si tua kthej shqiptarëve dhe vlonjatëve këtu, të gjithë atë besim dhe mbështetje që na kanë dhënë. Në 18 muaj që kemi punuar me zemër dhe me mendje për t’ia kthyer qeverinë shqiptarëve, nuk mundëm që të mbyllnim gjithë ato plagë të mëdha të hapura për vite të tëra. Nuk mund të zgjidhnim gjithë ato halle dhe probleme, nuk mund të çonim dritë ne shpresës në çdo familje. Por nga ana tjetër jam i bindur se nuk ka vlonjat që udhëhiqet nga arsyeja, që mendon me mendjen e vet, me zemrën e hapur dhe që arsyeton me largpamësinë që të mos jetë dakord me mua që në 18 muaj, ne u kemi dhënë provën e padiskutueshme se ne jemi fuqia e duhur dhe se ne mund ta bëjmë dhe po e bëjmë dhe do ta bëjmë shtetin që meritojnë shqiptarët”, theksoi Rama.

Më tej ai tha se “Ne nuk kemi shkuar ende në destinacion, nuk jemi ende në pikën e mbërritjes, por nuk ka sektor në Shqipëri ku kthesa në drejtimin e duhur të mos ketë filluar”. Ai tha se kjo qeveri i ka kthyer dinjitetin Shqipërisë me reformat që po bën.

“Ka filluar kthesa në ekonomi, në bujqësi, në arsim e shëndetësi. Ka filluar kthesa në të gjitha fushat e jetës. Por ne vështirësitë nuk na trembin dhe ju siguroj se do vazhdojmë të palëkundur në rrugën e reformave për të bërë shtetin për të cilin Ismail Qemali dhe Isa Boletini erdhën këtu në Vlorë. Jeni dëshmitarë të përpjekjeve tona. Mund të bënim më shumë? Por që të bënim më shumë nuk duhet të kishim 720 mln borxhe të ngritur nga një pushtet që ju i dhatë dërrmën. Kemi shlyer në 18 muaj 550 mln dollarë. Sigurisht po ti kishim patur fonde për të investuar do kishim bërë më shumë. Por nga ana tjetër nuk kemi bërë pak, sepse po ja heqim nga fyti Shqipërisë lakun e borxheve. I kemi kthyer dinjitetin Shqipërisë, jo me deklarata por me reformat historike që po bëjmë. Unë e di se ne nuk e kemi zmbrapsur ende korrupsionin, se korrupsioni është ende kërcënim. Por të jeni të sigurt se edhe në këtë drejtim kemi nisur ta marri kthesën në drejtimin e duhur duke iu hapur rrugë reformave”, deklaroi kryeministri.

Rama vlerësoi pjesëmarrjen e grave në këtë fushatë duke deklaruar se 21 qershori do të jetë referendumi për gratë dhe vajzat. Kryeministri tha se PD do ta gjejë drejtimin e duhur, ndërsa shtoi se tallet me qytetarët duke vendosur kandidatë pa shkollë.

“Prani e jashtëzakonshme grash dhe vajzash, kudo në të gjithë Shqipërinë. Është kthyer në fushatën e grave dhe vajzave. Më 21 qershor nuk do të shkojnë për të votuar thjesht kryetarët e bashkive por për të vënë vulën këtij vendimi historik. Apeli im: Mos shkoni vetëm në votim, por merrni me vete edhe një shoqe, një fqinje dhe shkoni për ta kthyer 21 qershorin në referendumin e madh për gratë dhe vajzat. Kjo është një fushatë shumë e veçantë. Është fushata që vë një tjetër gur në themelin e shtetit shqiptar që ne po e ndërtojmë. Në 21 qershor duhet të bëni zgjidhjen e vlonjatit që nuk pranon ta tallë njeri, e vlonjatit që kurrë në histori nuk e ka marrë njeri për budalla. Dhe këto u a them demokratëve të Vlorës. PD ka nisur vetëshkatërrimin. PD do ta gjejë drejtimin e duhur. Ku janë ata budallenj që të besojnë ato që thotë PD, këtë juristin e Kristalit.

Nuk e kuptoj se çfarë e ka gjetur PD-në. Në Sarandë një kandidat pa shkollë, borizan. Vajta në Konispol, pa shkollë, saldator. Vij këtu, jurist kristali, janë në vete këta, me kë tallen?”, tha Rama.

Duke vijuar me deklaratat për opozitën, Rama tha se PD nuk ka asnjë model qeverisje.

“Do të ishte bukur që PD  ta kishim në drejtimin e duhur si opozitë. Do të ishte bukur që PD të kishte modele për të treguar. Unë u them ore a keni modele, dhe më në fund doli Saliu dhe tha ne kemi Xhelal Mziun. Ndërkohë që ne kemi disa modele ata kanë një kandidat që nuk i dihet nëse pas 21 qershorit edhe po fitoi a do jetë në zyrë apo në burg”, tha kreu i qeverisë.

LESKAJ: QEVERIA E KA KTHYER VLORËN NË KANTIERIN E RILINDJES

Deputetja socialiste e qarkut të Vlorës, Valentina Leskaj tha se për herë të parë në 25 vite qeveria ka kthyer të dy sytë nga Vlora, duke e shndërruar atë në kantierin e rilindjes.

“Jam e sigurt që Vlora do jetë e para edhe këtë herë, sepse kemi nj kandidat të shkëlqyer si Dritan Leli. Do të jetë e para sepse për herë të parë qeveria ka kthyer të dy sytë nga Vlora, e ka kthyer në kantierin e Rilindjes. Votoni nr 1, Dritan Lelin dhe nr .23, PS”, tha Leskaj.

DRITAN LELI: ZHVILLIM TË QËNDRUESHËM TË VLORËS

Vetë kandidati i ASHE-së për kryetar të Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli premtoi më shumë punësim, investime dhe komunikim me qytetarët duke i përfshirë ata në vendimmarrje. Leli u ndal edhe tek turizmi, duke premtuar se do ta kthejë Vlorën në një brend të ri, ndërsa tha se programi i tij është për një zhvillim të qëndrueshëm.

“Drejtimi i duhur i bashkon shqiptarët si kurrë më parë. Vlora jonë sheh tek drejtimi i duhur, të ardhmen e saj. Sot jemi më shumë nga Novosela deri në Llogora. Vlora sot është më e madhe. Me më shumë resurse natyrore dhe njerëzore. Falënderoj të rinjtë vlonjatë që i dhanë kësaj fushate, qytetari dhe shpresë. Premtime për promovimin e turizmit. Do të ndërtojmë parkun e ri në Pyllin e Sodës. Do të punësojmë gratë dhe vajzat. Do të ndërtojmë qendrën ditore të të moshuarve. Do të ndërtojmë kinemanë e Vlorës. Laboratorë në shkolla, do të mbështesim nxënësit e shkëlqyer. Do të hapim pishinën sportive të qytetit të Vlorës. Flamurtarin tonë do ta bëjmë kampion. Jam për një zhvillim të qëndrueshëm”, deklaroi Leli.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: