Armando Duka, president i FSHF-së, në një intervistë për “L’Intersita”, një media pranë klubit zikaltër, ka folur për transferimin e Kristjan Asllanit në Milano, gjithashtu preku dhe tema të tjera, objektivat e Shqipërisë për të ardhmen, por nuk harrojë as Kumbullën, për të cilin ka një këshillë:

– President, si e shihni Asllanin si zëvendësues të Brozoviçit?

Më lejoni ta nis duke thënë se Brozoviç është një lojtar i rëndësishëm. Të gjithë ia njohim vlerën, është ndër mesfushorët më të mirë në qarkullim, që ka luajtur edhe një finale të Botërorit, por…

– Por?

Jam shumë i bindur se Kristjani do të konkurrojë me Brozoviçin për fanellën e titullarit. Kur në një të ardhme, që do të jetë shumë e afërt, të fitojë vendin në 11-she, do të bëhet një lojtar i rëndësishëm edhe ne arenën botërore. Gjatë sezonit, do të ketë shanset e veta dhe me punë do të arrijë të fitojë vendin.

– Pra, edhe ju mendoni se do të jetë lojtar i madh i së ardhmes?

Ai është ende shumë i ri, por ka potencial të jashtëzakonshëm dhe këtë e ka treguar tashmë me Empolin. Siç e thashë edhe më parë, besoj dhe jam i bindur se me cilësitë që ai ka, mund të bëhet një lojtar i rëndësishëm i rangut botëror. Më vjen ndër mend një krahasim. Ashtu siç e shoh unë, ai mund të jetë Luka Modriçi i ardhshëm. I ka të gjitha cilësitë për të arritur majat, është i ri, ka aftësi të larta teknike, vendosmërinë e duhur dhe karakter të fortë.

– Keni ndonjë këshillë për të?

Do të jetë shumë e rëndësishme për ecurinë e karrierës që të mbajë këmbët në tokë, të punojë shumë dhe me përulësi. Objektivi i tij i parë duhet të jetë të fitojë pozicionin titullar në skuadrën zikaltër.

– Çfarë pritshmërish ka për të në Shqipëri?

Tifozët shqiptarë e kanë ndjekur prej kohësh dhe e pëlqejnë shumë. Kur dolën lajmet për kalimin tek Interi, të gjithë e prisnin me ankth.

– Nga ana tjetër, jo shumë lojtarë shqiptarë e kanë veshur këtë fanellë…

Pikërisht. Pas Rei Manajt, tani e presim me emocion. Në Shqipëri besoj se edhe tifozët e Milanit tani do të bëjnë tifo për Interin, për shkak të tij (qesh). Është krenari e madhe të shohim një shqiptar duke luajtur në radhët e një klubi të madh dhe historik si Interi.

– Asllani është produkti më i fundit i futbollit shqiptar. Mund të na tregoni për punën që ka bërë Shqipëria me Edi Rejën për t’u rritur?

Sigurisht me Rejën në krye jemi rritur si ekip, jemi fokusuar te të rinjtë që punojnë shumë me ta dhe kemi ndërtuar një projekt të madh për rritjen e futbollit shqiptar. Pastaj ka aspekte të tjera.

– Cilat janë ato?

Përgatitja fizike e lojtarëve, aspekti mjekësor, analizat e videove. Së bashku me stafin e trajnerin, kemi krijuar departamente në Federatë për të zhvilluar këto projekte dhe për të pasur një rritje të futbollit shqiptar.

– Qëllimet tuaja të ardhshme?

Të jemi në krye të grupit tonë të Ligës së Kombeve dhe të kualifikohemi në “Euro 2024”. Besojmë fuqishëm se mund t’i arrijmë ato.

– Ka gjithmonë shumë futbollistë shqiptarë në Serinë A: mendoni se numri do të rritet edhe më shumë në vitet në vijim?

Aktualisht kemi mbi 10 mijë futbollistë shqiptarë që luajnë në të gjitha nivelet e futbollit italian, nga mosha U-7 deri në moshën U-19 dhe janë me qindra të rinj shqiptarë që i kemi monitoruar dhe i kemi futur në listat e kombëtareve shqiptare U-15, U-17 dhe U19. Nisur nga kjo situatë, në vitet e ardhshme do të ketë qindra prej tyre.

– Kumbulla është në qendër të lajmeve të merkatos. I rekomandoni që të qëndrojë me Romën?

Për Kumbullën tani është shumë e rëndësishme të luajë për klubin e tij. Zgjedhja i takon lojtarit, por nëse do të më duhej të jepja një mendim, do ta këshilloja të qëndronte me Romën, sepse mendoj se i ka të gjitha cilësitë për të qenë titullar dhe për të bindur Murinjon.

– Nëse do të zgjidhte një klub tjetër në Itali për më shumë hapësirë?

Do të ishte një zgjedhje e respektueshme. E rëndësishme është që të ketë minuta në dispozicion, por i ka cilësitë për të luajtur me Romën. E ka treguar vlerën e tij në futbollin ndërkombëtar. Mjafton të kujtojmë ndeshjen e vitit të kaluar Shqipëri-Poloni, ku ishte një nga më të mirët e ndeshjes, duke neutralizuar njëfarë Levandovski.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: