Amarildo Zela, ish-mesfushori i Kombëtares dhe aktualisht trajner në Austri, foli pas humbjes së Shqipërisë me Izraelin. Kuqezinjtë u mposhtën me një gol në pjesën e dytë, ndërsa miqësorja u luajt në stadiumin “Air Albania”.
Zela u tregua kritik për Kristjan Asllanin dhe aktivizimin e tij si titullar, ndërsa fliste për “Kubi Sportiv”.
“Për mua Asllani është një lojtar që nuk ka ritëm. Në atë pozicion, sot në futbollin modern, pozicioni 6 që luan Asllani duhet të jetë një lojtar që ngre dhe ul ritmin. Asllani luan me një ritëm. Me respektin më të madh që ka luajtur gjithë këto ndeshje në kombëtare, prapë unë si trajner nuk e shoh Asllanin në atë formacion të kombëtares. Aty kemi lojtarë, besoj, edhe më të mirë se Asllani. Edhe me fizikun më të mirë, edhe me ndërrim ritmi. Se sot në atë pozicion duhet të kesh njëherë anën difensive. Asllanin nuk e shoh një ndeshje që të përplaset, të hyjë në duel me kundërshtarin.
Sot po nuk fitove duele difensiv, është shumë e vështirë që të arrish të ndërtosh. Se tek ana e ndërtimit, ai ka lëvizsshmëri, por prapë nuk ka ndërrimin e ritmit. Nga ana difensive, çalon shumë. Asllani duhet të luajë më shumë në 45 metrat e fundit të kundërshtarit, aty duhet të jetë më i rrezikshëm. Se në atë lojë që bën Asllani, merr topin nga Gjimshiti dhe Ajeti, mund ta bëjë çdo njeri. Ai në atë moment duhet t’i lejojë më shumë atyre hapësira për të dalë përpara. Ai kthehet dhe gjithmonë frenon ritmin e lojës. Dhe duke frenuar ritmin e lojës, i jep kundërshtarit më shumë kohë që të orientohet dhe të organizohet. Aty nuk kemi më hapësira që mund të çajmë hapësirat apo linjat me një pasim kyç.
A do ketë guxim Maran ta ulë në stol? Besoj se po. Ai nuk ka çfarë të humbasë. Duhet të krijojë diçka të re tani. Asllanin e njohim të gjithë. Besoj se ka ardhur koha që ta marrë një tjetër lojtar këtë pozicion për mendimin tim. Asllani nuk është lojtar që bën diferencën. Dhe një lojtar që nuk bën diferencën për mua është pak absurde. Nuk e di a nuk e shikojnë ato vetë, apo nuk duan ta shikojnë këto trajnera.
Besoj se ky trajner është pak më me eksperiencë dhe këtë gjë duhet ta shikojë me më shumë imtësi. Në këtë pozicion është problematik shumë i madh te loja jonë. Te ndërtimi i lojës është kryesore shumë, te 4-3-3, lojtari me numër 6 është shumë kryesor. Ai ndërthur dy linjat. Të mbrojtjes dhe sulmit. Këtu duhet të ketë shumë fuqi, edhe shumë mushkëri. Asllani vrapon me të njëjtin ritëm. Nuk e shoh ndonjëherë në lojë që të iki 100% me sprint“, u shpreh Zela.
