Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka ngritur shqetësime të forta në Kuvend për gjendjen e sistemit shëndetësor, duke sjellë shembuj konkretë që sipas tij tregojnë dështimet e shërbimeve publike.
Gjatë fjalës së tij, Korreshi tha se qytetarët përballen çdo ditë me mungesa në spitale dhe vështirësi për të marrë shërbimet bazë shëndetësore.
“Shkon në spital dhe nuk merr shërbim. Një mikja jonë u detyrua të blinte tetanozin në farmaci, sepse nuk kishte në spital për të mjekuar djalin që kishte çarë dorën”, deklaroi deputeti.
Ai tregoi edhe një përvojë personale, duke pretenduar se një analizë e gabuar e kishte alarmuar për një sëmundje të rëndë.
“Bëra analiza dhe më thanë se nuk kisha rruaza të bardha. Më thanë të dilja t’i merrja borxh. U alarmova se më nxorën me leuçemi. Më pas analiza e dytë doli në rregull. U alarmova kot”, u shpreh Korreshi.
Sipas tij, problematik mbetet edhe procesi i analizave laboratorike, pasi mostrat e gjakut transportohen në kushte jo të përshtatshme drejt Tiranës.
“Merret gjaku me fugonë nëpër vapë dhe dërgohet në Tiranë”, tha ai duke treguar për një rast kur ka dhuruar gjak.
Deputeti demokrat u ndal edhe te vështirësitë ekonomike të familjeve shqiptare, duke theksuar se shumë prindër detyrohen të punojnë në më shumë se një vend pune për të siguruar të ardhura.
“Miqtë dhe shokët tanë punojnë dy turne për të rritur fëmijët. U vjen zor nga ata fëmijë që në mëngjes u japin mësim në shkollë, ndërsa në darkë i takojnë te karburantet duke u shërbyer benzinë”, deklaroi ai.
Korreshi argumentoi se shumë të rinj po largohen nga vendi për shkak të mungesës së dinjitetit dhe kushteve të vështira ekonomike.
“Vuajnë për dinjitet, ndaj ikin njerëzit dhe rinia. Ne themi se nuk blejnë dot shtëpi, por ata nuk paguajnë dot as bukën”, tha ai.
Në fund të fjalës së tij, deputeti iu drejtua ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enena Karakaçi:
“O Karakaç, i kemi dritat majë pemëve të fikut, s’kemi rrugë. Prandaj do të jem në protestë si qytetar, që t’i dëgjoj njerëzit dhe t’ua përcjell ju fjalët e tyre”.
