Gazetarja Klodiana Lala e ka cilësuar kallëzimin penal të gjyqtarëve ndaj Ministrit të Financave, Petrit Malaj, si reagim ndaj një ngërçi të qëllimshëm politik të orkestruar nga kryeministri Edi Rama.

E ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Lala theksoi se refuzimi i ekzekutivit për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve përbën një precedent të rrezikshëm, pasi asnjë qeveri nuk mund të dalë mbi gjyqësorin.

Lala sqaroi se trupa e gjyqtarëve vendosi t’i drejtohet organit të akuzës kundër ministrit Malaj me akuzat e shpërdorimit të detyrës dhe pengimit të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Sipas gazetares, aktualisht si në Gjykatën Kushtetuese ashtu edhe në SPAK apo GJKKO, pagat vijojnë të kalojnë me formulën e vjetër me pretendimin e zgjidhjeve teknike apo kufizimeve buxhetore. Kjo frymë bllokuese ndihet akoma më shumë te struktura e posaçme, ku rritja e parashikuar e pagave ishte më e lartë në raport me pjesën tjetër të sistemit.

Sipas gazetares, kjo situatë nuk lidhet me pamundësinë financiare të shtetit, por është një ngërç tërësisht artificial që i shërben përbaltjes dhe presionit ndaj sistemit të drejtësisë. Lala nëvizoi se kjo skemë rikthen në skenë përplasjet e mëparshme të Ramës me trupën e gjyqtarëve, ndërkohë që kuadri ligjor e bën të qartë se fondet e buxhetit dhe pagat e pushtetit gjyqësor duhet të kalojnë pa asnjë pengesë administrative apo politike.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb