Franca do të luajë në finalen e Kupës së Botës për herë të katërt në shtatë edicionet e fundit të turneut, duke barazuar Brazilin që doli dy herë radhazi 20 vjet më parë. Gjelat mbajtën portën e paprekur për herë të parë në këtë Botëror.

Në një kompeticion madhor në fund vlen trofeu, por transalpinët po tregojnë se në shekullin e ri janë të paarritshëm. Të udhëhequr nga Didier Deschamps, gjelat me të drejtë duan Kupën e Botës. Nuk do të jetë e lehtë, por përvoja ndërthurur me talentin i japin një bonus të madh Francës.

Mes shumë arritjeve, ka edhe disa statistika interesante. Kështu, Deschamps është trajneri i katërt që drejton një komb në finalet e Kupës së Botës radhazi, pas Vittorio Pozzo me Italinë (1934, 1938), Carlos Bilardo me Argjentinën (1986, 1990) dhe Franz Beckenbauer me Gjermaninë (1986, 1990). F

itorja kundër Marokut është e 14-ta për Deschamps në Kupën e Botës si trajner: vetëm Helmut Schön ka më shumë (16). Por edhe futbollistët regjistruan disa kuriozitete. Goli i Theo Hernandez i shënuar 4:39 minuta është goli më i shpejtë në një gjysmëfinale të Kupës së Botës që nga viti 1958, kur Vava i Brazilit shënoi kundër Francës në minutën e dytë.

Gjithashtu Theo Hernández është mbrojtësi i tretë që ka shënuar dhe asistuar në një Botëror të vetëm për Francën që nga viti 1966. Hugo Lloris luajti ndeshjen e tij të 19-të të Kupës së Botës, duke barazuar Manuel Neuer si portieri me më shumë ndeshje në historinë e kompeticionit. Ndërsa Randal Kolo Muani shënoi golin e tretë më të shpejtë nga një zëvendësues në historinë e Kupës së Botës, vetëm 44 sekonda pas hyrjes në fushë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb