Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka komentuar edhe kërkesën e PD për të ngritur një komision Hetimor për investimet strategjike, i cili u rrëzua pak ditë më parë në Kuvend.

Ai tha se nuk e ka parë riformulimin e ri.

“Nuk dua të nxitohem të shprehem, e megjithëse rregullorja e Kuvendit është e qartë se si dhe çfarë ndodh kur një kërkesë është paraqitur, është rrëzuar dhe duhet të presësh sesionin e ardhshëm. S’e kam parë riformulimin. Kur të jetë në Kuvend do e diskutojmë dhe do të japim opinionin tonë. Ajo që dua t’i sugjeroj opozitës është se natyrshëm Shqipëria ka nevoje për sa më shumë investime. Janë bërë publike shifrat e INSTAT për numrin e kompanive tëhuaja dhe gjatë vitit të fundit është shtuar numri i tyre. Jemi 6700 kompani të huaja në Shqipëri. Numri më i lartë në 30 vite në Shqipëri që tregon zhvillim.

Ligji për Komisione hetimore dhe parashikimet kushtetuese, përfshi dhe gjykatën kushtetuese, e ka cituar qartë se në cilat kushte ngrihen komisionet. Ka dyshime, ka raste konkrete sikurse thoni ju, le t’i drejtohet Prokurorisë. Ajo që është me rëndësi është se Kuvendi nuk është prokuroria. Megjithatë, nuk duhet të paragjykojmë, s’jam njohur me kërkesën e re dhe më pas do ju themi pozicioni tonë. Kuvendi, komisionet janë instrument për mënyrën e zbatimit të ligjit. Ata që e ndjejnë veten prokuror e kanë gabim, në Republikën e Shqipërisë vendet janë të ndara. Ne jemi këtu për të bërë ligje, por zbatimin e tyre dhe hetimin në tërësi në Shqipëri dhe jo vetëm e bëjnë Prokuroria.”, tha Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb