Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka folur ditën e sotme pas protestës së opozitës teksa deklaroi se sulmi ndaj kreut të PD-së, Sali Berisha ka thënë se ai veprim ishte një atentat mafioz i orkestruar nga Rama.

Meta më tej falënderoi Berishën i cili sipas tij e menaxhoi situatën në mënyrë të shkëlqyer pas sulmit që sipas tij kishte qëllimin e vetëm të devijonte një protestë paqësore në një manifestim dhune me viktima.

“Duke falënderuar qytetarët dua të shpreh një falënderim për liderin e PD-së, profesor doktor Sali Berishën për atë menaxhim të shkëlqyer që i bëri atentatit mafioz të orkestruar nga Edvin Kristaq Rama që kishte vetëm një qëllim, të devijonte një protestë paqësore në një manifestim dhune me viktima.

Është e qartë dhe në dritën e diellit se sot Rama në përpjekjet e tij më ekstreme të papara ndonjëherë për të provokuar dhe fajësuar opozitën si shkaktare të dhunës nxorri fytyrën e tij të vërtetë që nuk ka diplomat e ambasador, nuk ka mafioz ndërkombëtar të korruptuar që mund t’ia ndryshojë dot.

Sot Edi Rama u tregoi gjithë shqiptarëve, se është armiku më i madh i paqes sociale në vend, që është pasuesi më bastard i atij regjimi i cili i shkaktoi vendit aq shumë drama e viktima për 5 dekada.

Ai është pengmarrësi i të ardhmes evropiane të vendit, për shkak të pengmarrjes së tij nga organizatat kriminale jo vetëm në kontinent por edhe përtej tij. Opozita tregoi se ka gjithë vizionin dhe qëndrueshmërinë e duhur për ta shporrur këtë sekt kriminal, që përdhos kushtetutën”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb